Rritje prej 34 për qind të rasteve të reja, brenda një jave

Për 33,9% është rritur numri i të infektuarve me virusin korona brenda një jave. Raporti i Institutit të Shëndetit Publik tregon se nga data 10-16 janar janë regjistruar rreth 11,200 raste pozitive në 35 qytete, shkruan Alsat.

Numri më i madh i infektimeve është regjistruar në Shkup, ndërsa incidencë javore më e lartë është regjistruar në qytetin e Krushevës.

Reklame

“Më e theksuar është rritja e rasteve pozitive tek moshat mbi 60 vjeçare dhe tek mosha 50-59 krahasuar me një javë më parë. Është regjistruar ulje minimale e rasteve të të prekurve tek moshat nga 20-29 vjeçe dhe tek moshat nga 10-19 vjeçare. Janë regjistruar 55 vd ekje në 15 qytete të vendit gjatë javës së shkuar, që është për 34,1% më e lartë në krahasim me javën e kaluar”, njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të rasteve të reja me Kovid-19, MPJ njoftoi se Bullgaria e ka hequr Maqedoninë e Veriut nga lista e shteteve të cilat nuk mund të depërtojnë brenda kufijve bullgar, pa pasur nevojë thelbësore.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në të ashtuquajturën “Zonë e kuqe”, por me vendimin e ri hiqen kufizimet e hyrjes për nevoja jo thelbësore. Përkatësisht, me vendimin e fundit të autoriteteve bullgare, i cili do të hyjë në fuqi më 20 janar, të gjithë shtetasve të Maqedonisë u lejohet hyrja në Bullgari, duke paraqitur një certifikate të vlefshme vaksinimi kundër KOVID-19 ose certifikatë të kalimit të sëmundjes, së bashku me një test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë. Për hyrjen e të miturve nga 12 deri në 18 vjeç, testi PCR negativ është gjithashtu i detyrueshëm”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Lidhur me rregullativën e fundit të Komisionit Evropian, sipas të së cilës nga 1 shkurti doza e tretë do të jetë e detyrueshme për hyrje brenda territorit të BE-së, KE në një përgjigje me shkrim për ALSAT është shprehur se të gjitha masat rishqyrtohen në mënyrë të vazhdueshme dhe asnjë masë nuk është e pa ndryshueshme.

“Kufizimet për udhëtim në BE janë vetëm masa të përkohshme të krijuara për të ndihmuar në përfundimin e pandemisë sa më shpejt të jetë e mundur. Ato i nënshtrohen rishikimit të vazhdueshëm dhe përditësohen rregullisht për të pasqyruar zhvillimet më të fundit.

Për udhëtimet brenda BE-së, BE-ja përdor Certifikatën Dixhitale të BE-së për COVID për të lejuar evropianët të rifillojnë udhëtimin e sigurt. Certifikata Dixhitale e BE-së për COVID mbulon vaksinimin, testin dhe rikuperimin nga COVID-19”, thonë nga Komisioni Evropian.

Rregullativa e KE-së parasheh që çdo person i cili ka kaluar 8 muaj nga marrja e dozës së dytë, gjatë hyrjes në BE të jetë i imunizuar me dozën e tretë, apo në të kundërtën t’i nënshtrohet karantinës apo të posedojë test PCR si dhe certifikatë vaksinimi për dy doza./Alsat.mk