Rroga e pamjaftueshme për ushqim të shëndetshëm

Advertisment

Në Maqedoninë e Veriut – paga mujore minimale prej 14.500 denarë është tepër e vogël për plotësimin e standardit normal për furnizime ushqimore të shëndetshme. Gjithashtu, edhe paga mesatare prej 28 mijë denarësh nuk mundëson që një familje katër anëtarëshe të ushqehet rregullisht me ushqime cilësore që i nevojitet organizmit

Arbër KADRIU

Reklame

Shkup, 13 shkurt – Përveç përdorimit të medikamenteve që zakonisht rekomandohen nga mjekët, ata vazhdimisht na këshillojnë që pos barërave mjekësore – rol të rëndësishëm në shëndetin e njeriut luan edhe përdorimi i shëndetshëm i ushqimit si element kyç për jetën e gjithsecilit prej nesh.

Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut – paga mujore minimale prej 14.500 denarë është tepër e vogël për plotësimin e standardit normal për furnizime ushqimore të shëndetshme. Gjithashtu, çmimet e larta krahasuar me pagat mujore u pamundëson qytetarëve konsumimin e produkteve kualitative që në shumë raste – janë më se të nevojshme për organizmin e njeriut.

Në ndërkohë, paga mesatare tashmë ka arritur në pak më shumë se 28.000 denarë, derisa harxhimet minimale për një familje katër anëtarëshe janë afërsisht 33.000 denarë ose rreth 5000 denarë më shumë. Harxhimet të cilat përllogariten për çdo muaj të vitit, përfshijnë nevojat minimale për një familje për ushqim, pije, banim, higjienë, transport, veshmbathje, kulturë dhe shëndet.

Të dhënat tregojnë se, pothuajse një pagë e plotë mesatare në Maqedoninë e Veriut harxhohet për ushqim, pije dhe fatura. Më saktësisht, harxhimet familjare, sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, sugjeron që për ushqim dhe pije, gjatë muajit janar janë nevojitur rreth 14.000 denarë, ndërsa për banim (harxhime komunale, orendi shtëpiake dhe mirëmbajtje) duhen afërsisht 11.000 denarë ose rreth 40 për qind e rrogës. Për transport, higjienë dhe veshmbathje mesatarisht, janë nevojitur diku 6000 denarë, ndërsa më së paku është parashikuar për kulturë dhe shëndet, 2000 denarë.

Dhe, matematika e nevojës për ushqim të shëndetshëm barazuar me pagën mesatare, tregon se qytetarët nuk kanë mundësi të ushqehen shëndetshëm, apo me kaloritë e nevojshme për një organizëm të shëndoshë. Për këtë temë, specialisti – njëherësh inxhinieri i ushqimit, Halil Ibraimi, tregon se qytetarët është mirë të konsumojnë më tepër ushqime të përgatitur vetë në ambiente shtëpiake, si dhe është më se e nevojshme të zhvillohet bujqësia dinamike si proces më i mirë dhe i lirë për të gjithë.

“Më lirë dhe më mirë do të ishte zhvillimi i bujqësisë dinamike që edhe më përpara ka qenë e konsumuar si proces më se i nevojshëm për standardin e vendit tonë, sidomos viset rurale që kanë pasur kafshë shtëpiake dhe kanë kultivuar tokat e tyre. Kjo ka sjellë një përfitim të veçantë për sa i përket në përgjithësi ushqimeve kualitative. Në këtë formë do të ishte më së mirë që qytetarët të organizojnë oraret ushqimore dhe konsumin me ushqime bio ose të shëndetshme si vitaminat, niveli i yndyrave, minerale, pemë dhe perime e sidomos më së tepërmi ujë, varësisht peshës së individit”, thotë Ibraimi.

Ai gjithashtu përmend se secili duhet t’i nënshtrohet më së paku pesë herë në ditë racionit balancues që nga mëngjesi e deri në fund të ditë. “Secili duhet t’i rekomandojë vetes pesë racione balancues që ka të bëjë më pak ushqim me më shumë përmbajtje si prodhime të qumështit, vezë, pastaj tre orë për pemë dhe perime e kështu me radhë. Ndërkaq është për të ardhur keq se si kohëve të fundit po vërehet fakti se sëmundjet e ndryshme – vijnë si pasojë e mos ushqimit të duhur dhe të shëndetshëm, pasi në të shumtën e rasteve – shumë produkte po humbin efektin e tyre natyral si rezultat i bashkëveprimit me pesticide, të modifikuara dhe gjenetike”, deklaron Ibraimi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ndërkohë rekomandon që të rriturit të bëjnë çdo javë të paktën 150 deri në 300 minuta ushtrime të lira në mjedis të hapur me intensitet të moderuar, në mënyrë që të rrisin aftësitë e organizmit për luftimin e rreziqeve prej sëmundjeve të zemrës, diabetit, tensionit të lartë, kancerit dhe depresionit. Kjo këshillë është edhe më e rëndësishme gjatë një pandemie. Raporti i OBSH-së tregon se ushtrimet fizike duhet të kryhen ku ka vetëm pak njerëz, të praktikohet vrapimi në vende boshe gjatë mëngjesit herët ose të dilet me biçikletë në kodra apo pyje.

OBSH ka bërë thirrje që të gatuhet dhe të praktikohet ushqimi i gatuar veçmas në shtëpi. “Ndiqni praktikat e higjienës ushqimore, duke i larë dhe pastruar mirë ushqimet tuaja, si dhe bëni kujdes me masat. Konsumoni të njëjtat vakte siç keni bërë gjithnjë, në këtë mënyrë nuk do të shtoni në peshë dhe do të qëndroni të shëndetshëm”, thuhet në rekomandimin e OBSH-së. Ndërkohë nutricistët kanë këshilluar që për të mos pasur çrregullime në organizëm – të konsumohet dieta e duhur dhe të mos ketë ndërprerje të menjëhershme, në mënyrë që të kemi shëndet dhe energji. (koha.mk)