Rruga e Mahmut Bakallit-lideri komunist i Kosovës

20

Nga: Enver ROBELLI
Nëse shkoni nga Prishtina në Hajvali nëpër atë rrugën që të çon nga restoranti Puro, aty ku mbarojnë shtëpitë dhe fillojnë livadhet, bash aty gjendet rruga që bart emrin e Mahmut Bakallit. Një rrugë fushore që nuk të çon askund.

Meqë rrugët në qendër të Prishtinës janë «zënë» me emra të tjerë në dy dekadat e fundit, Mahmut Bakallin e kanë përzënë në fushat mes Prishtinës dhe Hajvalisë. E padrejtë? Po. Por politikë konsekuente e pushtetarëve të rinj, të cilët duan të bindin miletin se historia e Kosovës fillon tek në fund të viteve ’90.

Mahmut Bakalli u lind më 19 janar 1936 në Gjakovë, në banovinën e Zetës. Në Jugosllavinë mbretërore banovina quheshin qarqet. Në vitin 1929 Jugosllavia u nda në qarqe duke marrë si shembull departamentet franceze – kjo ishte një përpjekje e radhës për të luftuar «separatizmin» sidomos kroat dhe shqiptar. Banovinës së Zetës i takonte një pjesë e Kosovës perëndimore; kryeqytet ishte Cetinja.

 

Kur u lind Mahmut Bakalli, Kosova ishte një trevë e nënshtruar nga Jugosllavia e dominuar nga serbët. Udhëheqësit serbë e donin Kosovën pa shqiptarë. Më 1937, atëherë Bakalli ishte njëvjeçar, historiani serb Vasa Çubrilloviq botoi një memorandum, ku në detaje përshkruante masat që duhet të ndërmarrë qeveria qendrore për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë «problemin shqiptar në Kosovë».

Çubrilloviq propozonte shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës duke theksuar se nëse bota s’po bëhet merak për vrasjen e hebrenjve nga nazistët, kush do të shqetësohet nëse Serbia ua shuan farën shqiptarëve të Kosovës. Një marrëveshje e lidhur mes Beogradit dhe Ankarasë më 1938 parashihte shpërnguljen e 40 mijë «familjeve myslimane» nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Turqi. Nocioni «familje myslimane» përdorej si sinonim për familjet shqiptare. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e pamundësoi realizimin e planit për dëbimin e shqiptarëve, por ky plan pjesërisht u realizua në vitet ’50.

Mahmut Bakalli i takonte gjeneratës së parë të politikanëve shqiptarë të Kosovës të shkolluar dhe socializuar në Jugosllavinë e Josip Broz Titos. Mes viteve 1971-1981 Bakalli ishte sekretar i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Sekretar në komunizëm quheshin shefat. Si i tillë Bakalli për një dekadë ishte politikani më i pushtetshëm në Kosovë. Meritat e Bakallit duhet të kërkohen në vitet ’70.

Në atë kohë autonomia e Kosovës u zgjerua mjaft dhe i dha mundësi vendit (krahinës) që, përkundër kufizimeve të shumta nga regjimi jugosllav, të hapë rrugët e zhvillimit ekonomik, arsimor e kulturor. Ndoshta është vetëm pak e tepërt të thuhet se në vitet ’70 Kosova bëri një kapërcim epokash: nga mesjeta në rrjedhat moderne, që përfshinin hapjen e fabrikave, shkollave, universitetit të Prishtinës, industrializimin e shumë pjesëve të Kosovës, depërtimin e kuadrove shqiptarë në administratën më të lartë shtetërore. Duke mos u pajtuar me reagimin e ashpër të regjimit jugosllav kundër demonstratave të vitit 1981, Mahmut Bakalli dha dorëheqje.

Me rastin e vdekjes së tij më 14 prill 2006 analisti dhe gazetari Gabriel Partos në gazetën «Independent» të Londrës shkruante: «Ngritja e Bakallit në krye të establishmentit kosovar ndodhi, pjesërisht, për shkak të njohurive të tij se si funksiononte nga brenda burokracia komuniste. Falë arsimimit të tij universitar në Beograd, ai cilësohej si një figurë e besueshme në mesin e udhëheqjes serbe. Dhe, fare në fund, ai ishte nga Gjakova, një qytet në jugperëndim të Kosovës – baza amë e Fadil Hoxhës dhe politikanëve tjerë shqiptarë nga Kosova, të cilët kishin një strukturë të fortë të pushtetit në atë kohë».

Gjatë viteve ’90 Bakalli u përpoq të ketë ndikim politik prapa skenave, kryesisht pa sukses. Në maj të vitit 1998 ai e shoqëroi Ibrahim Rugovën gjatë një takimi me Sllobodan Millosheviqin në Pallatin e Bardhë në Beograd, ku dikur zot shtëpie ishte Josip Broz Tito. Me atë rast Millosheviq i tha Bakallit se ndoshta ai e njihte më mirë Pallatin e Bardhë pasi kishte qëndruar shpesh aty për të takuar Titon.

Gjatë takimit Millosheviq u përpoq të shfaqet sa më i afërt me anëtarët e delegacionit kosovar, por kur i tha Veton Surroit se qeveria serbe nuk kishte asnjë problem me botimin e gazetës «Koha Ditore», publicisti kosovar u kundërpërgjigj se gazeta ishte ndaluar. «S’ka mundësi. Kur?», pyeti diktatori serb. Surroi ndërhyri duke theksuar se problemi që do dëshironte të diskutonte nuk është ndalimi i kësaj apo asaj gazete, por përgjegjësia e qeverisë së Millosheviqit për gjëra të tjera siç ishte masakra ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Prekaz. Për këtë ballafaqim ka shkruar publicisti Sllavolub Gjukiq, njëri prej kronistëve më të njohur të politikës serbe pas Luftës së Dytë Botërore.

 

Surroi, Bakalli dhe Rugova do ta takonin Millosheviqin në Hagë, vite më vonë. Kosovarët ishin dëshmitarë, ndërsa ish-autokrati serb i akuzuar për krime lufte. Surroi dhe Rugova dhanë dëshmi mbresëlënëse, kurse Bakalli nuk qe në nivelin që pritej prej tij. «Bakalli nuk ia kishte dalë të jetë dëshmitar efektiv.

Dëshmia e tij fillestare ishte adekuate, nëse jo frymëzuese, por në bashkëbisedim, Milosheviqi e zuri atë në konfuzion faktik të datave dhe ngjarjeve», ka shkruar Frances Trix nga Indiana University në kapitullin «Underwhelmed: Kosovar Albanians’ Reactions to the Milošević Trial» në librin «The Milosevic Trial: An Autopsy», edituar nga Timothy William Waters, Oxford University Press, 2013. Pas luftës së Kosovës Bakalli ishte këshilltar i Ramush Haradinajt, por botët e tyre ishin aq të largëta, saqë bashkëpunimi mes tyre vështirë të ketë qenë i dobishëm.

Episodi më i rëndësishëm i karrierës politike të Bakallit mbeten vitet ’70 – dhe për këtë ai zë një vend të rëndësishëm në historinë e Kosovës. Derisa të vijë një kohë tjetër e vlerësimit meritor të secilit personalitet, pushtetarët do e mbajnë rrugën me emrin Mahmut Bakallit afër fshatit Hajvali. Sa më afër qendrës së Prishtinës të jetë një rrugë me emrin e tij, aq më shumë do të shihet edhe vepra iluministe e Mahmut Bakallit në vitet ’70.