Rrugët në Nerez të Mesëm si në mesjetë, banorët kërkojnë zgjidhje nga institucionet

Në lagjen Nerez i Mesëm në mes të Shkupit, rrugët janë si në mesjetë. Banorët ankohen për mungesë të investimeve. Thonë se shumë ndërtime infrastrukturore i kanë kryer vetë, por duhet angazhim për përmirësimin e gjendjes së rëndë.

“Dhjetëra shtëpi në lagjen Nerezi i mesëm këtu në Shkup, jetojnë si në mesjetë. Rrugë pa asfalt dhe të mbytur nga balta. Thonë se nga komuna e Karposhit nuk kanë parë investime për 50 vite me radhë”.

Reklame

Në gjendje edhe më të vështirë ndodhen banorët në rrugën “Kozle 1”. Në këtë pjesë ka mjaft shtëpi që rrugën pa asfalt e mirëmbajnë vet. Në mungesë të kujdesit të Komunës, banorët thonë se kanë ndërtuar vetë kanalizimin dhe asfaltin. Por kohën e fundit, asfalti është hapur për lëshimin e rrjetit të ujësjellësit dhe është mbuluar vetëm me baltë.

“Kjo që e shihni këtu, komuna e ka prishur e nuk e ka rregulluar. Ne këtë e lajmë vetë sepse shkojnë fëmija në shkollë e mos shkojnë nëpër baltë. Më 95-ën 5000 marka e kemi paguar privat për shkak se komuna na thoshte nëpër zgjedhje se do të vijnë, por e pamë që s’ka gjë, e nëpër baltë nuk jetohet”, u shpreh Ramiz Ibraimi, banor.

“Nuk kanë ardhur as të na pyesin si, ku, tek. Asnjëherë nuk ka ardhur të na pyes kryetari i komunës për problemet. E kemi kërkuar, ka thënë do vij sot, do vij nesër, vetëm kur vijnë zgjedhjet vijnë na rrejnë ka pak”.

Në gjendje të njëjtë janë edhe lagjet për rreth. Banorët e lagjes Nerezi i mesëm kërkojnë që Komuna e Karposhit sa më shpejt ti kryej punimet e nisura.

“Prej Nerezi të epërm vijnë e poshtë bohet lloçi deri këtu. Stefço përpara e ka pa, 12 vjet s’bëri asgjë hiç, edhe ky tash e ka parë, por deri tani asgjë hiç”.

“Veturat i lëmë poshtë, kjo është katastrofë, atë rrugë neve vet e kemi ndërtuar, komuna na rrënoj edhe e la”.

“Ka shumë rrugë të dëmtuara, kur bien shirat e mëdha atëherë gjithçka bart me vete atëherë këtu nuk mund të ecësh nga lloçi, nga papastërtia. Pse të mos të investon Komuna, është lagje e kësaj komune”, deklaroi Lulzim Xhemaili, banor.

Nga Komuna e Karposhit thonë se gjatë vitit 2020 është vendosur rrjet i ri i ujësjellësit në Nerezin e Mesëm me çka u përmirësua furnizimi me ujë i shtëpive. Theksojnë se gjatë vitit 2021 parashikojnë rikonstruktimin e rrugëve. Nga Komuna shtojnë se të gjitha ankesat e banorëve të kësaj zonë shqyrtohen nga sektori për infrastrukturë komunale, të cilët kanë qenë në terren dhe kanë konfirmuar gjendjen faktike.