Ish-rektori i UT-së, Vullnet Ameti, është rikthyer në krye të Universitetit pasi ushtruesi i deritashëm i detyrës rektor, Reshat Qaili, ka dhënë dorëheqje, mëson KDP.
Ameti do të jetë ushtrues detyre deri në zgjidhjen e rektorit të ri.
Procedura për zgjedhjen e rektorit ka filluar që nga dhjetori i vitit 2021, kur u konstitua përbërja e re e Senatit të Universitetit, në përputhje me Ligjin për arsim të lartë dhe aktet tjera. Në këtë mbledhje Qaili u zgjodh për ushtrues detyrës rektor, i cili deri në atë kohë mbante funksionin e prorektorit për arsim.
Në të njëjtën mbledhje kryetar i Senatit u zgjodh profesori Kushtrim Ahmeti.
Sipas Ligjit për arsim të lartë, rektori zgjidhet nga radhët e profesorëve me mandat prej 3 viteve, me të drejtë për një rizgjedhje. Vullnet Ameti është zgjedhur për mandatin e dytë në vitin 2017 me shumicën e votave të Senatit.