Rudina Xhunga: Pse asnjë politikan shqiptar nuk i ngjan Albin Kurtit

31

Gazetarja Rudina Xhunga thotë se Albin Kurti tani duhet të provojë të bëjë shtetin në Kosovë.

Ajo kujton një deklaratë të politikanit të ndjerë shqiptar nga Maqedonia, Arbën Xhaferi, sipas të cilit, Albin Kurti ishte personi i duhur për Kosovën në periudhën e vitit 2004, kur Vetëvendosje protestonte kundër ndërkombëtarëve.

E ftuar në “Provokacja” në ABC News, Xhunga thotë se Kurti është pragmatist dhe jo populist.

“Albinin e kam intervistuar që në fillim, që kur e nisi këtë rrugë. Kanë qenë fillimet e mia në Kosovë, në përplasjet e 2004-ës, ku u krijua ideja se ai qëndronte pas sulmeve të ndërkombëtarëve. Asokohe, pyeta Arbër Xhaferrin, “A është një person i rrezikshëm?” “Jo”,- më tha, “ai është personi i duhur. Sepse ai është ajo çfarë duhet tani.” Atë që nuk mund t’ua bëjë të qartë shteti, është Kurti që po ua bën.”- me tha Xhaferi.

Deri tani Albini bëri “la contraparte” (opozitën), tani është koha që do të bëjë shtetin.

Kam dëgjuar ta quajnë populist, por ai është pragmatist. Është një djalë që ka mësuar rrugës si të komunikojë politikisht, pa i ikur apo fshehur, besimit të tij. Është politikani i vetëm shqiptar, që jo thjesht luan me fjalët, por që beson te fjalët, është nga më të diturit, të kulturuarit, që unë kam intervistuar”, tha ajo.

Duke u ndalur tek negociatat dhe dorëheqjen e qeverisë së Maqedonisë, Xhunga u shpreh se ata kanë kulturë sistemi.

Mustafa Nano: Kam përshtypjen se, në krye të një vendi për të qenë i suksesshëm, nuk është se kultura e madhe është e nevojshme. Njeriut i duhet të jetë një administrator i zoti, ta ketë me pasion atë punë, të dijë, të ketë një kulturë minimale që të dallojë, shqetësimet reale të vendit.

Rudina Xhunga: Kultura është e rëndësishme për të qenë politikan. Ne kemi pasur dhe kemi kaq shumë politikanë injorantë, sa unë që i kam intervistuar 4-5 herë, më duket sikur të jesh politikan, duhet të jesh injorant. I jemi nënshtruar faktit të kryer, ndaj na habit Albini.

Por ajo që kam kuptuar me kalimin e kohës, është edhe përgjigjja që i kam dhënë pyetjes: Çfarë lloj politikani mund ta bëjë këtë vend? Se dreqi e mori, dalim përtej kufirit dhe shohim sa janë zhvilluar. Dhe kanë të njëjtin diell, të njëjtin ujë. E them çfarë njerëzish duhet të jenë këta që do ta zhvillojnë këtë vend të vogël sa një qytet i zakonshëm perëndimor. Çfarë na duhet?

Duhet të kenë, pak dashuri për këtë vend. Duhet ta duash. S’duhet të kesh përbuzje për ata që të ngjajnë si nënshtetasit e tu. Dhe të kesh një vizion që arrin ta shpjegosh, se nuk mund të kesh një vizion që nuk e shpjegon dot. Me këto, unë them që s’ka asnjë gjë që nuk bëhet. Nuk duhet asgjë më shumë.

Mustafa Nano: E vure re çfarë ndodhi pas lajmit, për bllokimin e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në Maqedoni ndodhi një proces tjetër, këtu ndodhi një proces tjetër. Kjo diferenca të duket e justifikueshme, logjike?

Rudina Xhunga: Ne nuk jemi të ngjashëm. Ne jemi të llogjeve, ata të sistemeve. Përtej kësaj, moshapja e negociatave është dërrmuese. Mbajtja larg Evropës, më shqetëson, më largon ditën kur ky vend do të bëhet.

Sepse të futesh në Evropë do të thotë të futesh në një regjim. Të jesh i diktuar të veshësh xhaketën e tyre. E pastaj të shëndoshesh apo dobësohet sipas llojit të xhaketës.

Mustafa Nano: Të ngroh Reforma në Drejtësi?

Rudina Xhunga: Reforma në drejtësi do të bëhet dhe do të shkojë deri në fund. Një prej arsyeve që shqiptarët e kanë lënë këtë vend, më shumë sesa Berisha, Nano apo Rama, unë mendoj se ka qenë sistemi i drejtësisë. Sepse në një familje kur një fëmijë do të gjejë të drejtën dhe nuk ia japin, aty ndodh shkëputja me familjen. Ti do të gjesh të drejtën.

Qoftë për një lopë që të kanë vrarë në fshat e qoftë për një shtëpi që po të prishin në qytet. Të gjitha përplasen te drejtësia. Pa u reformuar ai sistem, unë nuk shoh mundësi të reformohet sistemi politik. Dhe nuk shoh mundësi tjetër përveç futjes në sistem. Ne jemi një vend i vogël dimë gjithçka për njëri-tjetrin. Nuk mund të vijojmë të sillemi rreth sistemit, duhet ta bëjmë dhe përshtatemi.