Sa do t’i kushtojë Manchester City përjashtimi nga Champions

120

Jo vetëm lamtumirë nga kompeticionet europiane, Manchester City rrezikon tashmë një sanksion edhe në Premier League. Thyerja e rregullave të UEFA mbi Fair Play Financial përfaqëson shkelje edhe në lidhje me rregullat ekonomike-financiare të kampionatit kombëtar.

Revista “Forbes” ka bërë një përllogaritje se sa do t’i kushtojë Manchester City përjashtimi nga Champions League. Përjashtimi i Manchester City për dy vjet nga UEFA Champions League për shkelje të rregullave të Fair Play Financial, do t’i kushtojë klubit rreth 80 mijë dollarë të ardhura në vitin 2020.

-Manchester City, i cili do të përballet me Real Madridin në fazën e 1/8 në Champions League në fund të këtij muaji, të premten u përjashtua nga kompeticioni europian për dy sezone dhe u gjobit me 32,5 milionë dollarë.

-Siç bëhet e ditur, klubi ka kryer “shkelje të rënda” të rregulloreve mbi licencat e klubit duke fryrë të ardhurat e sponsorizimeve dhe “nuk ka bashkëpunuar” në një hetim në vazhdim nga UEFA.

-Sipas vlerësimeve të fundit të Forbes, të ardhurat e Manchester City në sezonin e kaluar ishin 678 milionë dollarë (72,6 milionë dollarë në total për pjesëmarrje në Champions League, kur klubi arriti në çerekfinale). Manchester City është skuadra e pestë me vlerën më të lartë, 2,7 miliardë dollarë.

-Duke supozuar që Manchester City do të arrijë sërish në fazën çerekfinale këtë vit, përjashtimi nga Champions League vitin e ardhshëm do t’i shkaktojë një humbje prej 77 mln dollarësh (duke përfshirë rreth 53 mln dollarë në çmime, në para, dhe 10 mln dollarë nga të drejtat televizive) ose 11% të të ardhurave totale të klubit në vitin 2020.

-Sipas përllogaritjeve të Forbes, kjo do të thotë një humbje në vlerë prej 295 mln dollarësh, duke e ulur vlerën totale të Manchester City në 2,38 mld dollarë.

-Manchester City mund të humbë 47 mln dollarë në rast të renditjes në fund të fashës së shpërblimeve (për arritjen në fazën e 1/8) deri në 102,35 mln dollarë (në rast të fitores së Champions League).

Gjithsesi, edhe pa Champions League vlera e Manchester City do të mbetet rreth 2 mld dollarë, pra do të jetë ende një ndër skuadrat e futbollit me vlerën më të lartë, pavarësisht përjashtimit nga kompeticionet europiane.

Manchester City është në pronësi të shoqërisë City Football Group, kryesisht në pronësi të familjes mbretërore të Abu Dhabi, që ka investuar shumë në këtë klub. Përveç Manchester City, grupi kontrollon edhe gjashtë skuadra të tjera futbolli në pesë kontinente, ndër to edhe skuadra e Major League Soccer New York City FC.

Në fund të vitit 2018, për Manchester City nisën hetime, pas publikimit të dokumenteve të brendshme që zbuluan se klubi kishte shkelur rregullat e licencimit të UEFA për klubet, duke fshehur burimin e të ardhurave nga sponsorizimet. Kjo është në kundërshtim me rregulloret e Fair Play Financial të UEFA në vitin 2009, për të ndalur klubet që të shpenzojnë më shumë se sa fitojnë.

Burimi: Forbes