Schooldemia

Advertisment

Kujtim Ramadani

Një proverbë angleze thotë, “Desperate times call for desperate measures”, që në shqip do të thotë “kohë të vështira, kërkojnë masa të vështira”, e përshtatur, natyrisht.

Reklame

Meqë nuk kam shkruar moti, ka të ngjarë që idetë dhe përshtypjet e shprehura në këtë shkrim të mos jenë të radhitura si duhet, por për t’i thënë, do t’i them gjithsesi.

Nuk ka dyshim që pandemia na e prishi “rendin dhe qetësinë” me të cilat patëm kaluar goxha kohë të jetës sonë, dhe u mësuam me atë farë dallgie. Por ama, ja, del një “dreq” dhe na e trazon gjumin dimëror.

Sipas të dhënave nga organet shtetërore, që ne gjithsesi s’kemi se si i verifikojmë, numri i të infektuarve dhe të vdekurve nuk po bie, pavarësisht temperaturave të larta dhe masave të ndërmarra.

Sipas kësaj, janë sjellë edhe vendime të ndryshme për mënyrën e zhvillimit të aktiviteteve tona të përditshme në sfera të ndryshme.

Një nga ato është edhe arsimi, i cili edhe në kohë jo-pandemie ishte më i masakruari, bashkë me shëndetësinë, lëre më tash, në kohën e virusit famëkeq.

Dhe, çfarë ndodh tani në sferën e arsimit?

Kur kanë mbetur edhe 5 ditë për fillimin e vitit të shtyrë shkollor, ne na servohet “platforma shtetërore për mësimin online”, kur veç më e pamë se si dhe sa funksionoi mësimi online nga marsi deri në qershor, në të gjitha nivelet e arsimit në RMV. Kjo u parapri me disa trajnime të një grupi të caktuar mësimdhënësish nëpër shkolla të cilët më pas do të duhet/duhej t’i trajnojnë kolegët e tyre.

Krejt kjo duhet të ndodhë brenda një afati rekord të shkurtër kohor dhe pritet që aty për aty mësimdhënësit tanë të jenë krejtësisht të përgatitur për të zhvilluar mësimin online. Çfarë absurdi! As ata të parët që janë “trajnuar” as këta të dytët që duhen trajnuar nga të parët, nuk e kanë as idenë më të vogël se çfarë është duke ndodhur me ta dhe përreth tyre. Ju garantoj për këtë.

E dyta, si, kur dhe ku do të implementohet mësimi online me përdorimin e “platformës shtetërore për mësim online?”

Kjo kërkon posedim pajisjesh elektronike, minimum një tablet me performancë mbi-mesatare, çmimi i të cilit është përafërsisht 15,000MKD. Në kushte pak më normale, do të na duhej një laptop, përsëri me parametra mbi-mesatarë, çmimet e të cilit lëvizin ndërmjet 25,000 dhe 35,000MKD. Tani, duke e pasur parasysh se çdo familje ka të paktën dy deri në tre persona të kyçur në këtë proces, në një mënyrë a tjetrën, pra si nxënës, studentë, ose mësimdhënës, në çdo familje nevojiten të paktën 60,000MKD për blerjen e pajisjeve në fjalë – dhe kjo është e barabartë me tre rroga mesatare të këtij shteti. Si do të veprohet në këtë rast – do t’i detyroni t’i blejnë këto pajisje me çdo kusht, të marrin kredi, të hyjnë në borxhe te të afërmit, apo t’i harxhojnë ato pak para të kursyera (nëse i kanë) për nevoja urgjente si sëmundje a vdekje? Apo ndoshta do të duhet ta lëshojnë vendin e punës edhe t’i zëvendësoni me të tillë që nuk e kanë problem blerjen e këtyre pajisjeve? Si? A s’ju vjen TURP? Se, për gjynah, e di që s’keni, po me sa duket edhe me TURPIN jeni pajtuar, apo jo!

E treta, jo çdokush e ka luksin të ketë një dhomë të veçantë në shtëpinë a banesën e tij për të mos u penguar nga të tjerët e familjes gjatë ndjekjes së mësimit apo dhënies së mësimit. Edhe kjo duhet të merret parasysh, apo jo?

Në kulmin e kësaj, janë bërë orare për mësimdhënësit, sipas të cilëve ata duhet të qëndrojnë nëpër shkolla nga ora 07:30 deri në ora 16:00, sikur nuk kanë punë dhe detyrime tjera në jetën e tyre private. Dhe, edhe po të jetë kjo kështu, me çka do t’i motivoni ata? Me rrogë qesharake prej 400 eurosh në muaj? TURP për së dyti.

Pse gjithë kjo katrahurë kur po këta nxënës tërë ditën e lume luajnë me njëri tjetrin në rrugë, në mëhallë, në shtëpinë e njëri-tjetrin. Pse i gjithë ky cirk, kur për çdo ditë pimë kafe në kafene e restorante me njëri-tjetrin? Pse i tërë ky maskarallëk, kur të gjithë u dyndën drejt Ohrit, Strugës e bregdetit të Mëmëdheut për të bërë banjo dielli e për të nxjerrë fotot në instagram e fejsbuk?

Të gjithë e dinë se kjo nuk do të funksionojë dhe shtiren sikur gjithçka është duke shkuar për mrekulli. Kjo është e destinuar të dështojë që në fillim, të nderuar.

Tani, të kthehem tek aktorët dhe subjektet që janë domosdo të përfshirë në këtë punë dhe t’i pyes si e kanë “rendin”? Këtu bëjnë pjesë Ministri i Arsimit, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Kryetari i sindikatës së mësimdhënësve në RMV, Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në RMV, Kryetari i lidhjes së nxënësve të shkollave të mesme në RMV, por edhe vetë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit e tyre.

Të nderuar, çdo zgjidhje tjetër përveç kthimit në bankat shkollore është e destinuar për dështim, prandaj aty ku ka kushte, po edhe nëse s’ka, me një analizë dhe menaxhim pak më të mirë në çdo shkollë veçmas, ato mund të krijohen, nxënësit duhen kthyer në shkollë bashkë me mësimdhënësit e tyre.

Përndryshe, anulojeni komplet vitin shkollor si të tillë dhe prisni derisa virusit t’i kujtohet vetë të largohet në ndonjë planet tjetër!

Ju dëshiroj një vit të mbarë shkollor!

Zoti ju dhashtë shëndet dhe durim!