Seanca konstituive e Kuvendit, më 30 korrik

Advertisment

Ndërsa në opinion tashmë filluan të publikohen kombinimet rreth përbërjes së re të Qeverisë, nga partia në pushtet dolën me qëndrimin se tani është koha që qytetarët të marrin frymë lirshëm nga aktivitetet politike, ndërsa Qeveria e ardhshme do të jetë e njohur pas festës së Ilindenit. Nga LSDM-ja shprehen se lideri i kësaj partie Zoran Zaev ka shkuar në pushim vjetor, por paralajmërojnë se ai do të jetë mandatari i ri dhe kryeministër i ardhshëm.

Kumtesë e LSDM-së:

Reklame

„Duke marrë parasysh periudhën e kaluar me virusin korona dhe fushatën zgjedhore, LSDM-ja angazhohet që në ditët deri në dhe rreth Ilindenit, qytetarët të mund të marrin frymë lirshëm nga aktivitetet politike të partive. Pas Ilindenit, në përputhje me afatet ligjore, hyjmë në procesin e përkufizimit të koalicionit qeveritar të kryesuar nga LSDM-ja”.

Cilat janë opsionet e mundshme sipas rezultateve që i shpalli KSHZ-ja. Njëri prej opsioneve është që Qeveria e re të vazhdojë me partnerët e vjetër të koalicionit LSDM, BDI dhe PDSH, të cilët së bashku kanë 62 deputetë. Opsioni tjetër që e presin nga VMRO-DPMNE-ja është që ata të formojnë Qeveri, por nuk tregohet se kush do të jetë partneri shqiptar. Nga ana tjetër, BDI-ja në opinion në mënyrë të barabartë u jep mundësi edhe LSDM-së edhe VMRO-DPMNE-së gjë që u pa me postimin e djeshëm që në profilin e tij në rrjetet sociale e publikoi Bujar Osmani.

Për një pjesë të analistëve politikë më i sigurt është koalicioni LSDM-BDI.

Ndonëse do jetë vështirë dhe i lodhshëm, ky proces do jetë i hidhur, por vlerësoj se LSDM dhe BDI në fund do të formojnë qeveri. Gjithçka tjetër do ishte marrëveshje joparimore e partive që nuk kanë asgjë të përbashkët me programet e tyre. LSDM dhe BDI ndoshta nuk janë shumë të ndryshme në programet e tyre”-tha Nikolla Dujovski, analist politik.

Por, ndonëse asnjëra prej partive nuk flet zyrtarisht për bisedime dhe për formimin e shumicës parlamentare, Alsat mëson se tashmë është rënë dakord që afatet për konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re të shkurtohen dhe gjatë verës ato të formohen. Burime nga Parlamenti për Alsat shprehen se seanca konstitutive me siguri do të mbahet më 30 korrik. Zvarritja e procesit do të mund të ndodhte nëse shkon më vështirë ndarja e sektorëve, ose nga ana tjetër, për atë se kush do të qëndrojë në krye të Parlamentit.