Sela: BDl po shpërbëhet, në Strugë i fitojmë zgjedhjet me cilindo kandidat

Sela bëri të ditur, se në tri komunat që udhëheq kjo parti, do të kandidojë kryetarët aktualë. Bëhet fjalë për Arben Taravarin në Gostivar, Isen Shabanin në Vrapçisht dhe Albon Xhemailin në Bogovovinë

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në një takim jo formal me gazetarët tha se ka hequr dorë nga udhëheqja e Komunës së Strugës, pasi ka bërë të ditur, se nuk do të kandidojë më për kryetar të kësaj komune.

Reklame

“Nuk do të kandidoj për Strugën. Shkaqet, ngaqë jam kryetar partie dhe na presin sfida tjera dhe nuk mund ta ndaj kohën. Në Strugë, i fitojmë zgjedhjet me cilindo kandidat, pasi mund ta fitojë cilindo oponent që do të kemi përballë”, tha Sela.

Në pyetjen se a ka vendosur se me cilët kandidatë do të garon në zgjedhjet lokale, ai tha se edhe pse është kryetar partie, nuk është i gjithëfuqishëm brenda partisë dhe se për kandidatët në fjalë vendosë kryesia qendrore, degët, nëndegët dhe strukturat tjera të partisë.
Por, ai ka bërë të ditur, se në tri komunat që udhëheq kjo parti, do të kandidojë kryetarët aktualë. Bëhet fjalë për Arben Taravarin në Gostivar, Isen Shabanin në Vrapçisht dhe Albon Xhemailin në Bogovovinë.

“Po përgatitemi me alternativën për zgjedhje lokale. Po përgatitet edhe platforma për pushtetin lokal. Kandidatë. Është herët për të folur për kandidatët. Strukturat partiake, bazuar në statut, do të vendosin. Jemi në proces për të zgjedhur kandidatë. Ne mbledhjen fundit të Kryesisë qendrore kemi sugjeruar që në 3 komunat që udhëheqim, Gostivar, Vrapçisht dhe Bogovinë, do të kandidojmë me të njëjtat emra si Arben Taravari, Isen Shabani dhe Albon Xhemaili”, tha Sela, ndërsa shton se partia e tij do të garojë në zgjedhje së bashku me partnerin e koalicionit, Alternativën.

Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela duke mohuar koalicionimin me VMRO-në për zgjedhjet lokale ka deklaruar se për momentin koalicioni që po funksionon në mënyrë perfekte është, koalicioni Zaev-Ahmeti-Mickoski.
“Zyrtarët e BDl-së po tentojnë të mashtrojnë opinionin se opozita po bashkëpunon me VMRO-në por e vërteta është ndryshe. Marrëveshja mes kësaj treshe po sjell edhe aminsti, po e vendos në pikëpyetje regjistrimin por edhe lirimin e atyre që vodhën paratë e qytetarëve”, u shpreh ai.

Duke ironizuar me deklaratën e Ahmetit se “kryeministri shqiptar është zgjedhur”, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela së kjo ëshrë qesharake dhe duhet të pyesim kryeministrin aktual Zoran Zaev nëse ndihet shqiptar.

“Unë do ti kisha quajtur shqiptarë fakultativ. Programi i ri, agjenda e re e gjelbër e tij është vetëm për të mashtruar një votues më tepër ose ca votues maqedonas të cilëve Ahmeti do u thotë se është politikan i gjelbër. BDI nuk ka qëndrim, ata në zgjedhje parlamentare bërtasin UÇK, ndërsa në zgjedhje lokale përmendin gjelbrim”, shprehet Sela, duke shtuar se BDI po ballafaqohen me nervozë brendapartiake që do të sjell dhe shpërbërjen e kësaj partie. “Në BDI po mbizotëron nervozë, natyrisht se janë në periudhën e shpërbërjes si parti. Ata duhet të shkojnë në opozitë”, tha Sela.

Ai njëherit ka komentuar edhe ligjin për shtetësinë i cili assesi të miratohet në Parlament, pasi që i njëjti po bllokohet përsëri nga partia “E Majta”, ndërsa liderin e kësaj partie e ka quajtur “Mistrec Politik”. Mes të tjerash, Sela deklaroi se nuk ka bërë zhurmë për këtë bllokadë, pasi nuk duan të poentojnë politikisht me ligjin si parti. “Nuk di cilën fjalë ta përdori për këtë person. Ndoshta “Mistrec Politik”. Ai del në foltore me shall për tu solidarizuar me viktimat në Palestinë, ndërsa po i njëjti bllokon ligje që janë në favor kryesisht të qytetarit pa marrë parasysh etninë”, potencoi Sela.

Ai njëherit njoftoi gazetarët se Aleanca për Shqiptarët në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore, ka bërë një rifreskim brenda strukturës, në të cilën si person të autorizuar për marrëdhënie me publikun, ka zgjedhur gazetarin e deritanishëm, Arben Zeqirin.

“Nuk e di se si është rregulli te liderët tjerë politik, por unë çdoherë kam qenë i hapur për gazetarët dhe iu jam përgjigjur thirrjeve të tyre në telefon. Por vendosën që këtë rregull ta ndryshojmë dhe për gjitha pyetjet tuaja rreth çështjeve aktuale, kërkesave për intervista, deklarata etj, nga sot mund të iu drejtoheni Arbenit, të cilin kryesia qendrore e ka zgjedhur si person kompetent për marrëdhënie me publikun”, u shpreh Sela.

Ndërsa, Arben Zeqiri ka falënderuar kolegët e tij për bashkëpunimin e derisotëm, dhe tha se nag pozicioni që i ka deleguar Aleanca për Shqiptarët, merr më shumë përgjegjësi dhe se do të jetë edhe më i hapur në raport me gazetarët.

“Unë edhe më herët i kam treguar kryetarit të partisë për vështirësitë që hasin gazetarët. Do të vazhdojë të jem i hapur që nga ky bashkëpunim të dalim korrekt dhe të suksesshëm”, tha mes tjerash Arben Zeqiri.