Koalicioni “trepalësh” mes Aleancës për Shqiptarët, Besës dhe Alternativës assesi të arrihet. Kjo sipas burimeve të Gazetës Express po ndodhë për shkak të ndarjes së pozitave në listat zgjedhore dhe pozitave eventuale në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut. E nëse koalicioni mes këtyre tre partive nuk bëhet, bazuar në sondazhet e fundit, BDI-ja e Ali Ahmetit përsëri do të del fituese në zgjedhje, duke ia shtuar edhe katër vite karrierës 17 vjeçare të Ahmetit në pushtet.

Besian LEKA

Pavarësisht se kërkohet ndryshim nga popullata, partitë politike shqiptare nuk po arrijnë që të mbledhin forcat, të bëjnë kompromis dhe të bëhen bashkë kundër partisë së Ahmetit, të cilën thonë se urrejnë për shkak se nuk kanë punuar asgjë për çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë 17 vitesh qeverisje.

I njëjti skenarë që ndodhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 mesa duket po përsëritet edhe tani, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2020.

Edhe aso kohe kishte bisedime për koalicion parazgjedhor mes LR-PDSH-së dhe Besës, por këto biseda përfunduan pa ndonjë sukses. Shkak doli të jetë ndarja e pazareve.

Aso kohe, Besa dukshëm me e fortë se partia e Selës, kërkonte më shumë nga ç’mund të jepte Sela, ndërsa ky u fundit zgjodhi të bëj koalicion me partinë e Gëzim Ostrenit, Unitetin dhe RDK-në e Vesel Memedit i cili nuk kishte mbështetje në popull (e kjo gjë u dëshmua një vit më vonë në zgjedhjet lokale kur RDK-ja morri vetëm 1700 vota), vetëm për shkak se mes këtyre dy partnerëve, partia e Selës ishte më e fortë dhe i takonin numrat më të mirë në listat zgjedhore si dhe pozitat më të mira në pushtet.

Pjesa dërmuese e RDK-së, u shkëput dhe shkoi me Besën e Kasamit, duke bërë që koalicioni “Rilindje me Besë” të del partia e dytë tek shqiptarët duke mbledhur mbi 58 mijë vota. Nga ana tjetër, koalicioni i Selës “Aleanca për Shqiptarët” siguroi 34 mijë vota (shumica dërmuese e votuesve ishin përkrahës të Selës duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve lokale vetëm 1 vit më pas), e që së bashku bënin me shumë se BDI-ja që mori 86 mijë vota.

Liderët që asokohe thirreshin në frymë opozitare, për shkak të interesave personale ia mundësuan BDI-së që edhe njëherë të del e para dhe që të qeverisë edhe katër vite të tjera. Por tani mesa duket, përsëri do të bëhet i njëjti “gabim” (nëse mund të quhet “gabim” një veprim që përsëritet).

Sipas burimeve të Gazetës Express, tani Sela është ai që po ia kthen borxhin Kasamit duke i kërkuar më shumë se ç’duhet, duke u mburrur me partinë e tij. e cila sipas sondazheve në këto zgjedhje, është më e fortë se partia e Kasamit. Sipas burimeve, Sela në lista u ka ofruar që 50% e pozitave të i takojë Aleancës për Shqiptarët, 25% Besës dhe 25% Alternativës. Sipas burimeve, kjo gjë nuk ka qenë e pranueshme për Afrim Gashin, i cili ka kërkuar 40% , ndërsa nëse Sela shpreh interesim që të merr ndonjë parti të tretë në koalicion, të jep përqindje nga hisja e tij!

Sipas burimeve tona, Alternativa e Afrim Gashit nga ana tjetër me ngul po kërkon që koalicioni të arrihet pa partinë paraardhëse të tyre, pra pa Besën.

Ndërkaq Besa përmes Arianit Hoxhës po e thumbon Ziadin Selën dy herë radhazi. Hoxha publikisht po kërkon llogari nga Sela se përse nuk po e përfundon punën të cilën e filloi, pra koalicionin “trepalësh” mes Aleancës, Besës dhe Alternativës. Partia e Kasamit madje thotë se do të ishte e hapur për një koalicion që në përqindje do të ndaheshe në 33-33-33 (ofertë kjo që ndoshta do të ishte pranuar nga partia e Selës në vitin 2016 kur ishte më dobët se Besa).

Ndërsa në Aleancën për Shqiptarët është krijuar situatë konfuze. Deklaratat e funksionarëve të tyre se nuk do të ketë koalicion trepalësh nuk korrespondojnë me kumtesat partiake të cilat thonë se nuk janë shuar shpresat për koalicion.

Duke u bazuar në këto ndodhi, lind dyshimi se cili nga personat e lartpërmendur punon kundër vullnetit të popullit, pra kundër marrëveshjes për koalicionin “trepalësh” i cili do të konkurronte me BDI-në e Ahmetit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë paraparë të mbahen më 12 prill./GazetaExpress/