Sela, Kasami e Gashi në Tiranë, a po bëhet koalicioni?

Advertisment

Krerët e tre partive shqiptare, Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa dhe Afrim Gashi i Alternativës fundjavën që lamë pas kanë qëndruar në Tiranë.

Burime konfidenciale të TV21 nga të tre partitë konfirmojnë se kryetarët në fjalë, veç e veç, janë takuar me Ministrin për Punë të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj.

Reklame

Zyrtarisht askush nuk i konfirmon këto informacione. Sekretari Gjeneral i “Besës” thotë se në Tiranë kanë takuar miq, por nuk tregon se cilët janë ata. “Lëvizja BESA ka shumë miq, qoftë në Tiranë apo Prishtinë dhe çdoherë kur i vizitojmë këto vende takohemi me miqtë tonë për të bashkëbiseduar për çështje që janë në interes të shqiptarëve”, deklaroi Arianit Hoxha.

Edhe Sekretari Gjeneral i Alternativës Skender Rexhepi pohon se kreu i kësaj partia Afrim Gashi ka qenë në Tiranë por pa dhënë hollësi për agjendën e takimeve. “Kryetari i Alternativa-s, Afrim Gashi ka qëndruar ne Tiranë në fundjavë dhe ka pasur disa takime të rëndësishme me zyrtarët shqiptarë atje.

Gjithsesi tema e bisedimeve si gjithmonë kanë qenë gjendja e shqiptarëve këtu te ne si dhe format e bashkëpunimit të ndërsjellë në shërbim të interesave afatgjate kombëtare. Alternativa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me shtetet shqiptare”, tha Skender Rexhepi nga Alternativa.

Nga Aleanca për Shqiptarët ende nuk janë përgjigjur rreth qëndrimit të mundshëm në Tiranë të Kryetarit të partisë Ziadin Sela. Sekretari gjeneral i ASH-së Arben Taravari na tha se nuk ka informacione për këtë dhe na drejtoi ta pyesim vetë Kryetarin e partisë Ziiadin Selën, por ky i fundit nuk iu përgjigj pyetjes së TV21.

Televizioni 21 me pyetje u drejtua edhe deri tek Kabineti i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Gent Cakaj. Nga atje Këshilltarja për Mediat, Fiona Demneri, mohoi të ketë pasur takime të Ministrit të Jashtëm me kryetarët e tre partive shqiptare nga Maqedonia. Ndonëse nuk konfirmohen takimet me ministrin e jashtëm, vlen të theksohet se qëndrimi i kryetarëve në Tiranë po bëhet në një kohë kur assesi s’po mund të realizohet koalicioni trepalësh ASH-BESA-Alternativa.