Selami: Në 20 vitet e fundit kemi një shifër qindra-mijëshe të të larguarve jashtë vendit

Migracioni është një fenomen që nuk prek vetëm Republikën e Maqedonisë së Veriut por edhe vendet tjera të rajonit, kështu u shpreh në “Rruga drejt…”, zëvendësdrejtori i Entit të Statistikave, Ilmi Selami. Sipas tij nevoja për forcë punëtore në vendet e zhvilluara perëndimore një nga shkaqet për zbrazjen e popullsisë, shkruan Alsat. Selami madje theksoi se për 20 vitet e fundit qindra-mijëra të rinj janë larguar nga vendi.

“Nuk është vetëm largimi i të rinjve, flasim për migracion i cili kohëve të fundit ka marrë hov dhe duhet parë fotografinë e madhe, dhe në këtë fotografi të madhe nuk është vetëm Republika e Maqedonisë së Veriut por janë të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit dhe më gjerë por dhe shtetet e tjera.

Me rritjen e industrializimit, me rritjen e rritjes ekonomike të shteteve perëndimore ritet njëkohësisht edhe nevoja për forcë punëtore dhe në këtë drejtim do të thotë vendet sikur Republika e Maqedonisë së Veriut, vendet fqinje të rajonit shënojnë një zbrazje të popullsisë dhe thash jo vetëm të të rinjve por kryesisht janë të rinjtë ata të cilët janë lokomotiva edhe e popullsisë tjetër mandej siç janë familjet, prindërit e kështu me radhë në vendet ku atje shkojnë dhe punojnë”, deklaroi Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikave. /Alsat.mk