Selektori i Maqedonisë: Nuk ndalemi me kaq

Përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Blagoja Milevski ka ngritur në qiell lojtarët e tij pas fitores 1:0 ndaj Italisë.

Është ky sukses historik për Maqedoninë e Veriut, që tashmë është në finale të plejofit për kualifikim në Botëror. Maqedonia V. ka lënë jashtë Botërorit kampionen e katërfishtë, Italinë.

“Për këta djem ia vlen të jetohet. Jam krenar për këta djem. Dua që të mbesin ashtu si janë, të qëndrojnë gjithmonë. Ne e kemi ditur se çka duam. Taktika nuk ishte për të shënuar një gol nga dy gjuajtje. Por qartë se ishim gati për ta befasuar kampionen evropiane dhe e befasuam për një vend në finale”, ka thënë Milevski pas ndeshjes, raporton “ekipa.mk”.

“Të mposhtët kampionen evropiane nuk është gjë e vogël. Por ne nuk ndalemi këtu. Tani fokusohemi te ndeshja me Portugalinë”, ka thënë Milevski, që është optimist edhe për ndeshjen e 29 marsit në Porto.