Serbët kalojnë cakun për Abazoviqin, poshtërojnë flamurin kombëtar!

Policia e Malit të Zi ka ndërhyrë fuqishëm kundër valës së sharjeve, urrejtjes dhe sulmeve antishqiptare pas nismës së partisë Ura për krijimin e një qeverie të re pa partitë proserbe.

Në mediat dhe portalet proserbe është poshtëruar flamuri kombëtar shqiptar, ku shqiponja është vizatuar si struc sipër të cilit është vendosur zv.kryeministri i Malit të Zi, i cili pritet të bëhet kryetar qeverie.

Reklame

Qendra e specializuar kundër sulmeve dixhitale e policisë së Malit të Zi, ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të kësaj vale, përndryshe ka kërcënuar mbylljen e të gjitha këtyre adresave.

Siç bën të ditur ‘Antena M’, një portal online mjaft i rëndësishëm në Podgoricë, Vala e urrejtjes kundër Dritan Abazoviçit dhe krerëve të partisë Ura nuk bëhet vetëm nga rrjetet sociale, por edhe nga mediat serbe.

“Fatkeqësisht, gjuha e urrejtjes është rikthyer në hapësirën online malazeze pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë e 42-të të Malit të Zi”, theksohet në deklaratën analitike të qendrës shkencore të luftës digjitale në policinë e Malit të Zi.

Në këtë material të plotë e të hollësishëm theksohet se prej disa muajsh, “përfaqësues të partive politike, por edhe grupet më të cenueshme, gra dhe fëmijë, janë të ekspozuar ndaj fyerjeve, kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes më brutale, të bazuara në baza kombëtare, fetare dhe politike.

Qëndrime të tilla inkurajojnë dhe justifikojnë intolerancën në shoqëri dhe nxisin dhunën.

Kreu i Lëvizjes Qytetare URA dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, drejtuesit e Unionit Qytetar CIVIS Srdja Paviceviç dhe Partia Popullore Socialiste (SNP) Vladimir Jokovçiç janë sulmuar me komente të shumta fyese dhe kërcënuese. Përfaqësuesve të opozitës iu dërguan përmbajtje fyese me theks të veçantë në nacionalitetin e tyre”, theksohet në deklaratën e qendrës së luftës ndaj krimit kompjuteristik të policisë malazeze.

Policia ka bërë të ditur se sipas ligjit, drejtuesit e mediave janë të detyruar të heqin pa vonesë komentet e paligjshme dhe jo më vonë se 60 minuta nga denoncimi apo raportimi i tyre.

Përveç Abazoviçit që është sharë me ‘libër shpie’ dhe është bërë thirrje për vrasjen e tij; është sulmuar edhe kreu i një partie politike qytetare, Srgja Paviçeviç, të cilin e kanë akuzuar si “fashist” pasi po bën koalicion me shqiptarët.

Partitë serbe dhe mediat e Beogradit, kanë nisur akuzat se është e rrezikuar Kisha Ortodokse Serbe dhe kanë bërë thirrje që besimtarët ortodoksë duhet të ngrihen ta mbrojnë atë.

Një nga mediat që financohet nga Moska dhe konsiderohet si “bijë” e Sputnikut rus: portali IN4S ka lëshuar thirrjen “ O sot, o kurrë, qeverinë po na e rrëzojnë shqiptarët, boshnjakët dhe të dëbuarit e ortodoksisë”.

Portali ‘Borba’, nga ana tjetër ka bërë thirrje për dhunë.

“Të ngrihemi, tu tregojmë vendin”, shkruan ky portal që ka fyer flamurin kombëtar shqiptar, duke e vizatuar shqiponjën si struck sipër të cilit ka hipur Abazoviçi.

Por edhe pse transmetimi i këtij programi është i ndaluar në televizion, emisionet janë të disponueshme në ‘YouTube’, ndaj policia malazeze ka propozuar masa shtesë.