SHBA-ja ndalon trajtimin e koronavirusit me hidroksiklorinë

Advertisment

Përdorimi emergjent i ilaçit kundër malaries, hidroksiklorinë, për trajtim të koronavirusit të ri, është ndaluar nga Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe.

Kjo Administratë ka thënë se të gjeturat e reja nga testimet klinike, kanë treguar se nuk ka arsye për të besuar se ky ilaç mund të prodhojë efekt anti-viral.

Reklame

Presidenti amerikan, Donald Trump më vonë ka mbrojtur qëndrimin e tij, për promovim të hidroksiklorinës si trajtim për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në muajin mars, kjo agjenci amerikane pati mundësuar përdorimin e ilaçit për disa raste serioze.

Mirëpo së fundmi ajo ka thënë se të dhënat kanë treguar se ilaçi në fjalë nuk ka trajtuar koronavirusin dhe nuk ka parandaluar infektimin.

Duke iu përgjigjur kësaj deklarate, Trump ka thënë se nuk ka pasur efekte anësore pas përdorimit të këtij ilaçi.

“E kam pirë dhe jam ndjerë mirë që e kam përdorur”, u ka thënë ai gazetarëve, due shtuar se “nuk mund të ankohem për të, e kam pirë për dy javë, dhe ja ku jam, ja ku jemi”.

Presidenti 74-vjeçar, ka thënë se shumë persona i kanë treguar atij që hidroksiklorina u ka shpëtuar jetën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka ndalur testimet me këtë ilaç, pas shqetësimeve për sigurinë.