Sherri i shkronjës cirilike Ќ që Erinën e vogël e la pa dokument zyrtar në Maqedoni

Është interesante letra e një bashkatdhetari që ka arritur në Redaksinë e Shtegu.com, përndryshe shtetas i Gjermanisë. Pasi ka jetuar dhe punuar për një kohë të gjatë në Gjermani, shqiptari nga Shkupi Qani T. ka aplikuar për pasaportë gjermane. Mirëpo atëbotë, në Gjermani ligji ka qenë që banorët e saj të kenë vetëm një shtetësi.

Qaniu ishte i detyruar të tërhiqet nga shtetësia e MV dhe të aplikojë për shtetësi gjermane. Për çudi të madhe, në dokumentin e udhëtimit dikush ia ka shënuar emrin me shkronjën cirilike Ќ, të përzier me alfabetin latin, gjë që nuk korespondon me realitetin dhe normat e shteteve europiane dhe tani Qaniu sipas autoriteteve maqedonase quhet Ќani.

Reklame

Autoritetet gjermane dyshojnë në atë kulmin e shkronjës Ќ, duke pohuar se kjo shkronjë nuk ekziston, prandaj ata e regjistrojnë me shkronjën latine K. Nga Qaniu, tani u bënë dy persona, njëri me shkronjën Ќ dhe tjetri me shkronjë K. Në ndërkohë, ai vendoset me punë në Zvicër dhe në vitin 2013 i lind vajza Erina. Këtu fillon katrahura e mundimeve të tij, pasi foshnja nuk mund të regjistrohet pa shtetësinë e dy prindërve, përcjell portali Shtegu nga Zvicra.

Qaniu menjëherë udhëton për në vendlindje dhe në Komunën e Çairit në Shkup, ai has në peripeci të shumta pasi asnjë nëpunës nuk ka pranuar ta regjistrojë foshnjen, duke u bazuar në shkronjën e alfabetit cirilik Ќ, pasi nga Qaniu tani ishte paraqitur “një person tjetër” me emrin Kani. “Po do ta regjistrojmë menjëherë vetëm na sjell dokument se ti je personi Ќani, pasi këtu je i regjistruar si i tillë dhe tani po bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm”, i kishin thënë në komunë. Të njëjtin problem e ka pasur edhe në Komunën Qendër, nëpunësit e së cilës nuk kanë pranuar t`ia korrigjojnë gabimin të cilin e kishin shkaktuar ata personalisht. Ai mëtutje rrëfen se deri më tani ka harxhuar mbi 500 euro për persona të cilët i kanë premtuar në mënyra të ndryshme se do t`ia zgjedhin problemin, por gjithçka ka mbetur në fjalinë: “E kam unë njerin, ta kryen punën…”.

Tani Erina ka mbetur pa certifikatë të lindjes, ndërsa Qaniu është “ftohë” nga vendlindja pasi atje punët administrative nuk kryhen si duhet, përkundër edhe mijëra problemeve tjera. Redaksia e Shtegu.com ka dërguar një e-mail në komunë dhe është në pritje të ndonjë përgjigjeje.(INA)