Sheshel: Ushtria serbe të bëhet gati për të ndërhyrë në Kosovë

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, krimineli Vojisllav Sheshel ka thënë se krijimi i poligonit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicë të Jugut do t’i vënte në rrezik serbët në Kosovë.

Sheshel deklaroi në programin e mëngjesit të televizionit serb, TV Pink se ushtria serbe duhet të jetë e gatshme për të ndërhyrë rreptë në Kosovë.

Reklame

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ushtria jonë duhet të jetë e gatshme nëse ai rrezik bëhet real, në mënyrë që të ndërhyjmë menjëherë. Është një pozicion shumë i rëndësishëm strategjikisht dhe prej andej i gjithë veriu i Kosovës dhe Metohisë mund të kontrollohet me armë të mira artilerie. Është gjithashtu e rrezikshme pasi shqiptarët nuk kanë të drejtë në baza ushtarake. Ata nuk kanë të drejtë sipas Rezolutës 1244”, tha Sheshel.

Kryetari i SRS-së theksoi se shqiptarët po ndërtojnë bazë ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit.

”Ato gjëra nuk po shkojnë mirë dhe ne do të duhet ta zgjidhim atë me disa masa më të rrepta një ditë. Do të ishte më mirë të arrihej një kompromis në mënyrë që Kosova dhe Metohija të mbeten pjesë e Serbisë, dhe shqiptarët të marrin një shkallë të lartë të autonomisë, dhe edhe ajo autonomi është e garantuar nga Këshilli i Sigurimit, por shkëputja e Kosovës dhe Metohisë nuk mund të jetë një opsion realist ose një temë diskutimi. Nuk ka asgjë për të folur, nuk duhet të lejohet”, tha Sheshel.