#

Në Shqipëri ka shkuar në 16 sot numri i viktimave nga Covid-19. Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri, tha se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 78- vjeçar nga Durrësi i konfirmuar me COVID-19.

“78-vjecari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë”, tha ajo.

Në 24 orët e fundit janë testuar 96 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 18 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1919 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 277 raste, nga të cilët vetëm 8 janë fëmijë. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 9 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 76.
Sot janë testuar edhe 9 personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar negativë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 143 raste
– Durrës 30 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 8 raste

– Fier 23 raste
– Kavajë 6 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste

– Shkodër 10 raste
– Lezhë 6 raste
– Berat 1 rast
– Has 8 raste
– Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 2 raste