Shkup, starton projekti tramvaj në rrota! (VIDEO)

Me sistem të ri të autobusëve, përkatësisht tramvaj me rrota, me autobus të shpejtë dhe me efikasitet energjetik, shkupjanët do të kenë kushte shumë më të mira, ndërsa njëkohësisht edhe do të kontribuojnë edhe në përmirësimin e ambientit jetësor.

Këtë e paralajmëroi Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, sot gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për kreditim nga Banka evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim në lartësi prej 70 milion eurove. Për këtë transport do të duhet të ndërtohet edhe korsi e veçantë në trafik.

Reklame

“I gjithë sistemi është shumë kompleks, i cili përveç intervenimit në infrastrukturë kërkon edhe zgjidhje të veçanta softuerike, sistem i veçantë për udhëheqjen e transportit të tillë në përgjithësi. Sistemi i trafikut të Qytetit të Shkupit do t’i dedikohet pikërisht bus rapid transit. Deri në atë pikë shkon automatizimi i sistemit që në stacion të mbyllur të autobusit në momentin që ndalet automjeti, në momentin e njëjtë hapen edhe dyert e automjetit edhe të stacionit, me qëllim që të kemi një transfer të tillë”, deklaroi Petre Shilegov – Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Ministri i Financave Fatmir Besimi tha se ky projekt do të mundësojë arritje më të shpejtë deri te vendet e punës, që është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme për qytetarët e Shkupit. Me këtë projekt Shkupi do të jetë qyteti i parë në Ballkan me sistem të tillë të transportit, tha Besimi.

Paratë përmes huamarrjes i siguron Banka evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim, ndërsa përfaqësuesi Andi Aranitasi tha se projekti do të sjellë koncept të ri për transportin publik.

“Në kuadër të kreditimit BERZH planifikon që të sigurojë grant në vlerë prej 1,5 milionë eurove që do të shfrytëzohet për ta ndihmuar qytetin në zbatimin e projektit dhe përgatitjen e studimit për realizimin e fazës së dytë”, tha Andi Aranitasi – BERZH.

Projekti përfshin vendosje të dy linjave me korridor për këta autobusë prej lagjes Gjorçe Petrov deri në Novo Lisiçe dhe prej Butelit deri në Kisella Vodë. Në fazën e parë do të blihen 26 autobusë, ndërsa në fazën e dytë edhe 22./Tv21.tv