Shpërtheu edhe një virus ai i sondazheve të rejtingjeve të Partive politike

Advertisment

Ejup Berisha

Paralelisht me situatën e rrezikshme dhe mjaft shqetësuese me prezencën e virusit Corona në përmasa botërore i cili ja gati tre muaj po e shqetëson dhe po e torturon trurin e të gjithë njerëzve jo vetëmse te ne por edhe në mbarë botën , këtyre ditëve te ne ka shpërthyer edhe një virus tjetër i cili njihet edhe si ethet e aktiviteteve të sondazheve të matjes dhe prezentimit të rezultateve të rejtingjeve të Partive politike.

Reklame

Kjo po ndodhë tani në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që sipas një marrveshjeje të arritur mes Partive kryesore politike pritet që të mbahen më 15 korrik të këtij viti në vendin tonë. Ajo çka është për tu thënë për të dy viruset e përmendura është fakti se të dy i atakojnë elementet vitale të njerëzve.

Dhe derisa virusi Corona e sulmon shëndetin e njerëzve në përgjithsi virusi i sondazheve dhe prezentimit të rezultateve të matjes së rejtingjeve të Partive politike ka filluar ta sulmoj trurin e njerëzve duke i shqetësuar ata me lloj lloj informatash dhe të dhënash për gjasat për fitore apo dhe për humbje të asaj apo dhe të kësaj Partie politike.

Kur jemi të qështja e virusit Corona ajo çka është interesante është fakti se gjatë tërë kohës po prezentohen shifra të ndryshme të njerëzve të infektuar dhe të atyre që e kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me virusin në fjalë. Vlenë të theksohet se krahas të dhënave të ndryshme zyrtare të publikuara nga Ministria e shëndetësisë quditërisht edhe disa njerëz në mënyrë të pa-autorizuar nëpër rrrjetet sociale me të madhe po publikojnë të dhëna dhe shifra të ndryshme të të infektuarve dhe të vdekurve .

Unë ata me sinçeritetin dhe dashamirësinë më të madhe i porosis që mos ta bëjnë këtë gjë sepse nuk janë të detyruar e as kompetent që ta bëjnë një gjë të tillë apo ta luajnë rolin e zëdhënësve të Ministrisë së shëndetësisë. Ndërsa kur jemi te aktiviteti i anketave të rejtingjeve të Partive politike e shoh se në të njëjtën ditë për shum pak orë dallim dalin rezultate të ndryshme të rejtingjeve të përpunuara nga institute dhe agjenci të ndryshme.

Kështu sipas rezultateve të njërit sondazh të publikuar paradite fitues do të jenë partitë që aktualisht janë në pushtet, ndërsa sipas një sondazhi tjetër rezultatet e të cilit publikohen pak më vonë në mesditë apo pasdite fitues në zgjedhje do të jenë partitë e bllokut opozitar. Dhe kjo situatë është shumë interesante sepse derisa prezentohen rezultatet dhe shifrat ku për fitore favorizohen partitë në pushtet në mesin e anëtarsisë dhe simpatizantëve të tyre mbretëron festë dhe gëzim i madh, mirëpo kjo gjendje nuk zgjat shumë meqë pak orë më vonë publikohen rezultate krejtësisht tjera dhe të ndryshme ku gjasat për fitore në zgjedhje tani më shumë i kanë partitë e bllokut tjetër pra të atij opozitar.

Dhe mund të supozoj se sa anëtarët dhe simpatizantët e njërit bllok të partive kur i lexojnë rezultatet e anketës së publikuar të cilat janë në favorin dhe për qejfin e tyre në atë moment brenda atyre sibjekteve vetëm për pak kohë çfar disponimi dhe gëzimi mbretëron te to dhe anajelltas. Pra vetëm pas pak orësh dalin rezultatet e anketës tjetër ku sipas të njëjtave fitues do të dalin subjektet e bllokut apo të grupimit kundërshtar politik. Pra derisa për disa orë gëzohen anëtarët dhe simpatizantët e bllokut politik qeveritar ata të bllokut opozitar sigurisht se ndjehen të shqetësuar dhe të pikëlluar.

Ajo çfar është më qesharake se as njërit bllok e as tjetrit bllok politik nuk po u lejohet të paktën dy ditë të plota të gëzohen dhe të festojnë. Pra çfar flet kjo situatë aktuale kjo flet se derisa të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare truri i njerëzve këtu në RMV do të sulmohet dhe do të torturohet në vazhdimsi nga rezultatet kundërthënëse të anketave të matjes së rejtingjeve të Partive politike. Pra ne në javët në vijim paralelisht do të ballafaqohemi me dy viruset të cilat aktualisht janë prezente këtu te ne.
Dhe parashtrohet pyetja se sa janë të besueshme rezultatet e anketave të shumta rezultatet e të cilave kanë filluar të publikohen tani dhe të cilat do të vazhdojnë të publikohen edhe më shumë në vazhdim.

Pra besueshmëria e rezultateve të tilla është dhe do të jetë shumë e vogël. Prandaj të njëjtat duhet të lexohen dhe të merren me rezervë. Ndërsa kur jemi te ajo se cilat Parti do të fitojnë dhe cilat do të humbin në zgjedhjet e radhës në fund fjalën kryesore për këtë do ta thonë qytetarët votues në ditën e zgjedhjeve.

Se kujt do tia besojnë fitoren këta është qështje e tyre. Kështuqë vërtetimin apo kontestimin e rezultateve të shumta të anketave të shumta që do të publikohen për rejtingjet e partive politike do ta bëjnëgjithashtu vetë qytatarët votues. Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare qytetarët edhe do të zbaviten por edhe do të torturohen nga rezultatet e sondazheve të tilla gjë që nuk është as mirë e as korrekte.

Për hirë të së vërtetës duhet thënë se porositja e sondazheve nga ana e Partive politike deri te agjencitë apo dhe institutet e ndryshme që meren me matjen e rejtingjeve të Partive politike si dhe përpunimi dhe publikimi i rezultateve të atyre hulumtimeve nga ana e agjencive dhe instituteve është aktivitet i pranueshëm dhe normal ligjor por të njëjtat e marrin epitetin e virozave nëse realisht nuk i prezentojnë rezultatet e huimtimit të mendimit apo dhe disponimit të qytetarëve zgjedhës.