Shqipëri, marrin fund kufizimet e fundjavës, lokalet dhe gjithçka tjetër hapur, ja të vetmet aktivitete që do ndalohen deri më 23 qershor

Kjo fundjavë do të jetë ndryshe nga fundjavat e kaluara, pasi nuk do të ketë kufizime për lëvizjen e qytetarëve, sikurse ka qenë më parë, pra nuk do të ketë liri me orar për pensionistët apo për nënat me fëmije, por të gjithë do të mund të lëvizin lirshëm. Ndërkohë nga e hëna nisin masat e tjera lehtësuese, ku do të hiqen të gjitha zonat me ngjyra dhe makinat do të mund të lëvizin pa autorizim nga njëri qytet në tjetrin.

Sakaq lokalet të cilat janë hapur tanimë prej dy javësh, por me orar të kufizuar, duke nisur nga e hëna do të rrinë pa orar. E hëna e 1 qershorit do të sjellë edhe më shumë liri për qytetarët, pas një periudhë të gjatë në karantinë për shkak të koronavirusit. Përveç hapjes së kufijve dhe kopshteve e çerdheve, do të hapen edhe palestrat për të gjithë qytetarët nën një protokoll sigurie, ashtu sikurse edhe bizneset e tjera që kanë zhvilluar aktivitetin e tyre përgjatë kësaj periudhe.

Reklame

Aktivitetet e hapura

Përpos palestrave, heqjes së kufizimeve të orareve dhe heqjes zë zonave me ngjyra, të kuqe dhe të gjelbra, nga qershori do të nisë edhe hapja e plazheve. Ministria e Shëndetësisë kishte marrë vendimin që hapja e plazheve për qytetarët të bëhej në datë 10 qershor, por tashmë ky vendim ka ndryshuar dhe hapja e plazheve do të bëhet në datën 6 qershor. Plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm, që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit, nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe. Nga data 1 qershor, do të lejohen kampionatet sportive, por pa praninë e publikut. Sakaq do të hapen edhe parqet dhe qendrat e formimit arsimor, si kurset private etj, po ashtu aktivitetet kulturore do të hapen, por duhet pasur kujdes distanca fizike dhe numri i njerëzve. Ndër të tjera do të rikthehen në punë qendrat e internetit, por sipas protokolleve të sigurisë. Kjo javë që po vjen daton me 1 qershor dhe është muaji me masat më lehtësuese që kur pandemia goditi vendin.

Aktivitet e mbyllura

Edhe pse qeveria ka vendosur të hapë pothuajse të gjithë vendin, janë disa aktivitete apo shërbime të cilat do të vijojnë të jenë të bllokuara pasi rrezikojnë përhapjen e virusit. Transporti publik është një nga shërbimet më të rrezikshme për përhapjen e koronavirusit, dhe për këtë arsye edhe për një farë kohe ky shërbim do të vijojë të jetë i mbyllur, deri në një moment të dytë. Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit të tij të fundit në lidhje me koronavirusin, bëri me dije se transporti do të hapet pjesë-pjesë. Sakaq do të vijojnë të jenë të bllokuara, aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji. Në fundjavë do të hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset, por edhe këtë fundjavë nuk do të lejohet lëvizja e rezidentëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbërta, deri të hënën kur këto kufizime do të hiqen përfundimisht. Sakaq kujtojmë se kryeministri paralajmëroi që qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi masat mund të rivendosen nëse numrat nuk janë shumë shpresëplotë. Ditët e fundit numrat e të infektuarve janë rritur, ndërkohë që dje është zgjeruar harta e të infektuarve e përtej Tiranës.