Shqipëri, masa të reja për faljet në xhami

Advertisment

Rritja e vazhdueshme e shifrave të COVID-19 ka shqetësuar së tepërmi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i cili ka ndërmarrë kufizime shtesë të jetës fetare.

Është vetë KMSH që, përmes një vendimi qarkullues shpërndarë në të gjitha myftinitë e qyteteve, njofton masat e rrepta.

Reklame

“Prej disa muajsh jemi në një situatë të pazakontë, e cila ka sjellë mjaft vështirësi dhe kufizime në jetën dhe përditshmërinë tonë. Të vetëdijshëm që mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së çdo njeriu është detyrim parësor për të gjithë ne, që në fillimet e përhapjes së pandemisë COVID-19, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mori disa masa parandaluese dhe vendime kufizuese”, citohet në njoftimin e një dite më parë nga KMSH.

Nga sot, çdokush që shkon në xhami duhet të ketë me vete maskë e sixhade personale, e, pasi të ketë mbaruar faljen, nuk do të mund të qëndrojë dot më asnjë minutë.

“Ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si libra, Kuranë, rafte e të tjera”. Aabdeshanet do të jenë të mbyllura dhe çdo besimtar duhet të ketë marrë abdes që nga shtëpi. Distanca fizike vijon të jetë e padiskutueshme në xhami, e cila do të lërë jashtë dyerve të saj grupmoshat nën 12 vjeç, moshën e tretë, mbi 65 vjeç, si dhe ata me sëmundje kronike.

Koronavirusi ka prekur gjithashtu edhe ritin kryesor të gjithë javës për besimtarët myslimanë. Hytbeja e xhumasë nuk do të jetë më shumë se dhjetë minuta. Kujtojmë që ky është i pari vit që besimtarët myslimanë falën Fiter Bajramin në xhamitë e lagjeve, ndërsa i gjithë Muaji i Shenjtë kaloi në heshtje. Të gjitha gjasat janë që edhe me Kurban Bajramin në ditën e fundit të muajit të ndodhë e njëjta gjë. /panorama