Shqiptarët e Maqedonisë të ndarë, krerët e partive shikojnë interesin e tyre

Advertisment

Interesat personale mbi interesin kolektiv. Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut është ende larg bashkimit. Gati e njëjta situatë, sikur në të gjitha proceset zgjedhore. Opozita fiton më shumë vota, por shkaku i ndarjes së votave përsëri BDI del e para. Si pasojë e modelit zgjedhor që aplikohet në Maqedoninë e Veriut, shumë deputetë humben për dhjetëra vota, shkruan Gazeta Express.

As kjo nuk mjafton që partitë opozitare të gjejnë gjuhë të përbashkët për t’u bashkuar dhe të garojnë në zgjedhje si një koalicion.

Reklame

Pika kryesore që i ndanë është pesha e tyre brenda një koalicioni të tillë. Të gjitha e kërkojnë rolin e partnerit të madh, edhe duke mos u bazuar në ndonjë të dhënë reale.

Në vitin 2016 ishte i njëjti skenar. LR-PDSH e atëhershme, RDK dhe Lëvizja Besa, pas shumë tentimeve nuk arritën të bashkohen. Shkaku i këtyre mos-marrëveshjeve, filloi përçarja në RDK, ku u shkarkua kryetari i partisë, Vesel Memedi, por që në fund arriti t’i mbante vulat e partisë. Memedin bashkë me vulat e pranoi Ziadin Sela në LR-PDSH, duke e inkuadruar edhe Unitetin dhe së bashku garuan nën siglën e koalicionit “Aleanca për shqiptarët”.

Në anën tjetër, Lëvizja Besa arriti bashkëpunim me strukturat e RDK-së, duke garuar si “Rilindja me Besë”.

Në zgjedhjet e dhjetorit, “Aleanca për shqiptarët” mori 34 mijë vota, Lëvizja Besa 58 mijë vota, PDSH-ja e Thaçit 32 mijë vota, në total 124 mijë vota, ndërsa BDI u rëndit e para me 86 mijë vota. Në total, opozita kishte 38 mijë më shumë se sa partia fituese, BDI, që kishte 86 mijë.

Kjo situatë rrezikon të përsëritet edhe tani, në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, ku veçse kanë filluar sulmet e zakonshme brenda opozitës me akuza dhe kundër akuza.

Në zgjedhjet e kaluara, epitetin e dështimit të koalicionit të gjithë ia faturuan Vesel Memedit nga RDK, mbetet të shihet se kush do të jetë “Vesel Memedi” i këtyre zgjedhjeve.

Aleanca për Shqiptarët thotë se koalicioni ASH-BESA-Alternativa, është e vetmja formulë për rrëzimin e BDI-së nga Qeveria, ide kjo që kundërshtohet fuqishëm nga Lëvizja Besa.

Nga Lëvizja Besa thonë se do të pranoni koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, duke përjashtuar Alternativën nga treshja që kërkon Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Përndryshe, Alternativa doli si parti e re pas përçarjes së Lëvizjes Besa pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017-të.

Koalicioni mes Besës dhe Aleancës dështoi në zgjedhjet e fundit parlamentare. Të dy partitë asokohe mblodhën më shumë se 90 mijë vota, ose rreth 10 mijë vota më shumë se BDI-ja e Ali Ahmetit.

Koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Besës mori jetë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2017, nën moton “Aleanca me Besë”, duke arritur që të fitojnë katër komuna.

Në zgjedhjet presidenciale, Aleanca dhe Besa mbështetën kandidatin e vetëm shqiptar për president, Blerim Rekën, duke grumbulluar më shumë 80 mijë vota./GazetaExpress/