Shqiptarët katolikë kanë ndihmuar vëllezërit e tyre musliman për ndërtimin e xhamisë në Gjermani (Video)

Advertisment

Shembujt që flasin për tolerancën ndërfetare të shqiptarëve janë të shumtë dhe vështirë për t’u numëruar. Një shembull të tillë ekipi i Gazetës lajm dhe Lajm Tv ka hasur edhe në diasporë. Gjatë qëndrimit tonë në mesin e diasporës në krahinën gjermane Nord Rajn Vestfalen, respektivisht në qytetin Monshenglladbah, mërgimtarët me krenari na e prezantuan xhaminë e këtij qyteti.

Aty nuk zhvillohen vetëm aktivitete fetare por edhe aktivitete kombëtare për shënimin e datave të rëndësishme historike. Në objektin e xhamisë është e vendosur edhe qendra kulturore shqiptare. Ajo është blerë dhe është rinovuar në afat rekord, falë kontributit të palohdhsmë të mërgimtarëve. Kanë kontribuar jo vetëm shqiptarët që i takojnë konfesionit islam, por për ndihmën e tyre janë shquar edhe shqiptarët të konfesionit katolik. Përmenden edhe emrat e disa prej tyre, si Toma, Martini, Pali, e të tjerë.
Mërgimtarët tanë shprehen të kënaqur nga kushtet që ofron Gjermania si për kultivimin e identitetit kombëtar, poashtu edhe të identitetit fetar.

Reklame

Figurë e njohur shqiptare në këtë pjesë të Gjermanisë është edhe Astrit Salihu, i cili bën jetë mes aktrimit, biznesit, por shquhet edhe në sferën e humanizmit. Mes tjerash ai posedon kompaninë Atdheu, që ndihmon mërgimtarëve në çastet më të vështira, për t’i sjellë të afërmit e tyre të ndjerë në vendlindje. Nuk është punë e lehtë, por falë angazhimit maksimal i dilet, thotë Astriti.

Në një vend të madh dhe shoqëri dinamike siç është Gjermania, sfidë e vazhdueshme është ruajtja e identitetit kombëtar, paralelisht me integrimin e suksesshëm në shoqëri. Shteti gjerman ofron ndihmë në dy aspektet dhe si rezultat i kësaj ndihme, funksionon edhe shkolla shqipe në Monchengladbach.

Diaspora shqiptare në këtë pjesë të Gjermanisë, nuk dallon shumë nga diaspora jonë në vendet tjera të Evropës Perëndimore. Ka kaluar koha kur bashkëkombasit tanë kanë qenë vetëm punëtorë krahu. Ata tani zhvillojnë edhe biznese, shkollohen, janë të kyçur në arsim, mjekësi, sport, politikë, e në shumë sfera tjera ku po tregojnë rezultate impresive.