“Shqiptarët u japin urdhra ushtarëve grekë”, video e famshme bëhet problem serioz, çështja mbërrin deri në parlament

Video e famshme, ku dy ushtarë shqiptarë u japin urdhra ushtarëve të tjerë grekë, është shndërruar në një problem serioz, i cili ditën e sotme mbërriti deri në parlamentin helen.

Mediat vendase shkruajnë se kreu i partisë së ekstremit të djathtë “Zgjidhja greke”, Kyriakos Velopoulos, i është drejtuar ministrit të Mbrojtjes të Greqisë, Nikos Panagiotopoulos, zyrtarisht, duke kërkuar informacion me të detajuar nëse është kryer një hetim i brendshëm, për videon e bërë virale.

“Dy ushtarët në detyrë ishin drejtpërdrejt përgjegjës (për incidentin). Ndaj tyre do të merren ndëshkimet e duhura disiplinore”- shkruan ministri midis të tjerash.

Panagiotopulos u shpreh se organet zyrtare kompetente për dy ushtarët që ishin drejtpërdrejt përgjegjës, kanë vendosur ndëshkimet e duhura disiplinore për “veprën e kryer dhe u kontrolluan për çështjen e disiplinës edhe organet e shërbimit kompetent të Njësisë, për të cilat u konstatua ekzistenca e përgjegjësive indirekte dhe direkte.”

“Hetimi i brendshëm administrativ për këtë rast specifik, është kryer dhe ka përfunduar menjëherë në mënyrë që të hetoheshin kushtet në të cilat ndodhi regjistrimi i videos dhe postimi i saj në mediat sociale,”-ka deklaruar Ministri grek i Mbrojtjes.

Videoja tregon dy të rinj, të cilët flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe në kamera. Njëri prej tyre i cili duket të ketë një rol drejtues në repartin ushtarak, urdhëron ushtarët grekë të përsërisin emrin e njërit prej djemve që po përshëndesin, “Me Ri Ton”, ndërkohë ushtarët e përsërisin pa hezitim. Mediat greke e cilësuan si skandal rastin e bërë publik përmes një video të bërë virale.