Shqiptari i kërkon shkollës 400 mijë euro dëmshpërblim pasi nuk e morën në ekskursion

39

Endri Begaj që studionte në shkollën e mesme të Sansepolcros, në afërsi të qytetit italian të Arezzos, mundësia për të shkuar me shkollën në ekskursion iu refuzua. Jo sot, por 12 vjet më parë dhe arsyeja ishte mesatarja e ulët.

Atë zhgënjim dhe turp Begaj nuk e ka harruar kurrë, dhe sot që është 32-vjeçar vazhdon një betejë gjyqësore me shkollën e tij të hershme.

Shqiptari së bashku me avokatin e tij pretendojnë se nga ai vendim u gjeneruan konflikte të ashpra që përfunduan në përjashtimin e shqiptarit nga shkolla.

Sot ai kërkon një dëmshpërblim që shkon në shifrën 400 mijë euro, pasi sipas tij përjashtimi i kushtoi mundësinë shkollimit, miqësitë vjetra dhe gjetjen e një pune dinjitoze.

Rasti u bë i famshëm edhe disa vite më parë, dhe shkoi deri në Parlament, ku u citua gjatë një debati si shembull i thyerjes të së drejtës kushtetuese.

Por, ditëve të fundit Gjyqësia italiane ka vendosur që të transferojë çështjen nga Gjykata Administrative në atë Civile, me shpenzimet që i ngarkohen vetë shkollës.