Shqiptari që synon Formula 1, Lirim Zendeli nga Shkupi kampion në botën e automobilizmit (VIDEO)

ADAC Formel 4, 4. + 6. Lauf Hockenheim 2018 - Foto: Gruppe C Photography
Advertisment

Shkupjani Lirim Zendeli synon të bëhet shqiptari i parë që ngjitet në piedestalet e Formula 1. Këtë sezon Zendeli garon në Formula 3, pasi në moshën 19-vjeçare, një vit më parë, fitoi kampionatin e Formula 4, shkruan Euronews, transmeton Portalb.mk.

“E shoh veten si kampion në Formula 3, por edhe në Formula 1. Besoj se me përkrahjen e duhur kjo është e mundur të arrihet. Do ishte shumë mirë që të jem shqiptari i parë që do të arrij këtë”, – thotë ai.

Reklame

Zendeli tregon se këtë sport e filloi si hobi në Gjermani, në moshën 10-vjeçare. Rastësisht ai është stërvitur në një klub privat të legjendës së Formula 1, Michael Schumacher dhe trajnerët dalluan shumë shpejt talentin e tij.

“Kam filluar në ekipin e Michael Schumacher, 4 vjet në karting. Kam fituar kampionate të Gjermanisë, gara në botë. Hap pas hapi arritëm në F4, ku fituam kampionatin, dhe tani në F3”, – shprehet Zendeli.

Sponsori dhe menaxheri i tij Sali Ajdini, një tjetër shqiptar nga Maqedonia e Veriut që jeton në Gjermani, thotë se synimi kryesor i këtij sezoni është titulli kampion në Formula 3.

“Shkalla e dytë është Formula 1. Kemi për të hipur edhe një shkallë dhe të fillojmë kontratat me Formula 1. Lirimi është shumë i vendosur. Ai dëshiron që ta arrijë qëllimin. Ëndrrën që ka, me mbështetjen që ka, do ta ketë më të lehtë për ta arritur”, – thotë Ajdini.

Lirim Zendeli për momentin është në bisedime për të firmosur me skuadër të re në Formula 3. Por emrin e klubit e mban të fshehtë deri sa të formalizohen kontratat.