Shqiptari Sami Musa kandidon për zgjedhjet parlamentare në Gjermani

Advertisment

Më 23 shkurt 2020, në Hamburg të Gjermanisë do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe në garën për në Parlament është edhe një shqiptar i yni. Një djalë i shkëlqyeshëm dhe i përgatitur, Sami Musa.

Sami Musa është biri i Xhelil Musës, një shqiptar i devotshëm. Veprimtar dhe humanist i madh. Xhelil Musa vjen nga qyteti i Vitisë në Kosovë dhe gjithë jetën e tij në Gjermani, për mbi 50 vjet, ia kushtoi kombit, duke ndihmuar shumë shqiptarë që kanë pasur nevojë. Kurse investimet e tij në Viti dhe në Kosovë e në Shqipëri janë të panumërta.

Reklame

Me z. Xhelil Musa unë jam njohur gjatë takimeve tona letrare në hotelin e tij në Hamburg, i cili na ka bërë një pritje madhështore, të gjitha pa pagesë, sikur të ishim në shtëåinë tonë. Prej atij momenti ne jemi miq, ai është mik i shtëpisë dhe familjes sime. Madje, për figurën e tij është shkruar gjerë e gjatë edhe në librin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, në disa vëllimen të cilin e boton Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”. Ndërsa shoqata më vonë e ka shpallur edhe Anëtar Nderi të saj, duke e vlerësuar kontributin e tij madhor për çështjen kombëtare dhe për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Personalitete humane si Xhelil Musa gjenden shumë të rrallë. Xhelil Musa është njëri i mençur dhe i urtë, njëri pakfjalë dhe punë shumë. Këto virtyte ka trashëguar edhe djali i tij Samiu, të cilin e njohë gjithashtu. Një djalë i edukuar në frymën patriotike. Një djalë i fjalës dhe i besës. Një njeri këmbëngulës në parimet dhe vendimet e veta.

Sami Musa tashmë ka përvojë me veprimtari shoqërore dhe politike dhe këto i trajton si domosdoshmëri të kohës. Një personalitet i përgatitur, modern dhe me qëndrime të fuqishme që të mbrojë të drejtën aty ku duhet. Sami Musa, do të dërgojë zërin qytetar në institucionet vendimmarrëse gjermane.

Për mbi 30 mijë shqiptarë që jetojnë në Hamburg, kanë fatin e madh që Sami Musa është kanditat për në Parlament. Ata do të jenë më të mbrojtur dhe më të sigurt, ata do ta kenë njeriun e tyre për çdo shqetësim që kanë nevojë të adresojnë. Një djalë i ri, që do të përfaqësojë edhe zërin e të rinjëve shqiptarë, të cilët janë të shumtë në Hamburg.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, mbështetë fuqishëm z. Sami Musa, në zgjedhje e përgjithshme parlamentare dhe në garën për në Parlament.

Prandaj, shqiptarë të dashur, mos e humbni këtë mundësi. Vota për Sami Musën, më 23 shkurt 2020, është mundësi e re për të gjithë ju dhe familjet tuaja në Hamburg e në Gjermani!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja,

Zoti e bekoftë Sami Musën dhe familjen e tij

Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo që janë!

Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Suedi, Förslöv, 28 janar 2020.