Shtatë parti në gjashtë “ nahi”, copëzimi i spektrik politik shqiptar në Maqedoni

Advertisment

Partitë politike po përgatiten për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Derisa në kampin politik maqedonas do të jetë një garë mes dy partive LSDM dhe VMRO-DPMNE, në kampin politik shqiptar po pretendojnë ti hyjnë garës disa parti: BDI, ASH, Lëvizja BESA, Alternativa, PDSH, RDK.

Gazetari Naser Pajaziti thotë për INA se ky copëzim politik do të jetë fatal për shqiptarët nëse nuk ndodhin koalicionime. “Shtatë parti me shtatë oferta në gjashtë njësitë zgjedhore dhe se secila prej tyre tregon muskujt, kamulfon përmes rrjeteve sociale dhe thirret në votën shqiptare. Kjo po ndodhë edhe me ato parti të fragmentuara, që e din se sa e kanë hallin dhe se më 12 prill do të përshëndeten nga skena politike. Ky hov duhet ndalur, sepse do të jetë fatal për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, thotë Pajaziti, duke nënvizuar nevojën për koalicionime sa më të gjëra. Sipas tij, kjo shkapërderdhje shqiptare po ndodhë si pasojë e sedrave personale, papërgjegjësive politike dhe interesave të ngushta të klaneve politike të suportuara dhe inkurajuara nga subjektet e mëdha maqedonase.

Reklame

Analisti politik Emin Azemi nënvizon se kjo atmosferë po vërehet sidomos tani pak muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku subjekte të caktuara politike shqiptare legjitimitetin e tyre për të bashkëqeverisur e kanë përkthyer si mbijetesë, përmes bashkëpunimit të ngushtë me ndonjë parti maqedonase. “Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedonase e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi.

Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë . Shqiptarët në Maqedoni, çuditërisht prej vitesh e kanë kultivuar këtë sindrom dhe ai ka ardhur duke u zhvilluar në përmasat e një nyje që padrejtësisht ka bllokuar kapilarizimin e jetës politike. Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti të pakuptimtë.”, thekson Azemi. Hovi i copëzimit të skenës politike shqiptare nuk ka të ndalur, pasi që me fillimin e vitit është paralajmëruar formimi i subjekteve të reja. (INA)