Shtetasit në hall, Ministria e Jashtme hesht! Pse nuk po bëhet asgjë për të kthyer të bllokuarit e tjerë në Itali? (VIDEO)

Advertisment

Fazli Ametovski deri para disa javësh ka punuar si blegtor në Itali, por tani ka mbetur pa punë. Ka tre muaj që rri tek një shoku i tij në pritje për t’u kthyer.

“Ruaja dele, tani dola nga puna dhe tani vetëm rrimë. Pa dokumente nuk na mbante pronari. Po nuk bëhet puna se nuk ka fluturime, s’ka autobusë”, tha Fazli Ametovski, blegtor në Itali.

Reklame

Në pritje është edhe druvari Kadir Mustavov që tashmë ka mbetur i papunë.

“Si kam mbetur këtu, kisha për të rinovuar disa dokumente dhe mbeta këtu më zuri kriza. Kam punuar me dru po mbaroi puna e drurit. Tani pres lajme për t’u kthyer në shtëpi. Pres lajme prej Ambasadës, ja ende asgjë nuk ka”, tha Kadir Mustavov, druvar në Itali.

TV21 komunikoi edhe me shumë persona të tjerë që nuk deshën të flasin para kamerës. Na treguan se janë në gjendje të vështirë ekonomike si pasojë e krizës, disa të tjerë janë me probleme shëndetësore, por edhe thjesht turistë që kanë mbetur të bllokuar në Itali.

Për hallin e tyre, shumë shtetas të Maqedonisë e kanë kontaktuar edhe Sherif Nuredinin që drejton shoqatën “Shqiponja” në provincën e Breshias, por tregon se nga Konsullata i kanë thënë se për momentin nuk ka ndonjë mundësi për udhëtime drejt vendlindjes.

“E kemi kontaktuar shumë herë konsullatën e Maqedonisë mirëpo edhe ata presin nga qeveria e Maqedonisë që duhet të jepet leje por nga Qeveria e Maqedonisë nuk është dhënë leje për udhëtime të tjera që mund të bëhen për në vendlindje”, tha Sherif Nuredini, kryetar shoqata “Shqiponja”.