Shtyhet gjykimi për “Monstrën”

Advertisment

Sëmundja e avokatit Asmir Alispahiq, avokat mbrojtës i disa prej të pandehurve në lëndën “Monstra”, shtyu seancën e sotme për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, në prill të vitit 2012. Kjo është seanca e dytë me radhë që u shty pasi kjo e fundit nuk u mbajt për faktin se një mbrojtës tjetër në procedurë ishte në vet-izolim për shkak të koronavirusit.

Rasti “Monstra” i cili me vendim të Gjykatës Supreme, sërish gjykohet në Gjykatën Penale Shkup, dhe aktualisht është në fazën e procedurës dëshmuese.

Reklame

Gjykimin për këtë lëndë e drejton gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të aktakuzë janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.

Në lëndën “Monstra” për vrasjen e pesëfishtë më 12 prill të vitit 2012, u vranë djemtë Kire Triçkovski, Filip Slavovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, kurse akuzohen Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.