Si e parashikoi “Minishengenin” Arbër Xhaferi?!

Nga Avzi Mustafa

Në vitin 2009 më 29 maj Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë organizoi një konferencë mbarëshqiptare, në të cilën morën pjesë një numër i madh i personaliteteve të kulturës e të shkencës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali Zi. Si përfaqësues i shqiptarëve të Maqedonisë mori pjesë politikani, kulturologu dhe studiuesi Arbër Xhaferi me kumtesën “Zenitizmi dhe Neoshqiptarizma”.

Reklame
HTML Image as link Reklamë:
Qries

Arbër Xhaferi, si njëri me vizion largpamës, që në atë kohë do t’i ndante politikanët shqiptar në dy fenomene antagoniste: në zenitizëm dhe neoshqiptarizëm. Ndërmjet këtyre dy lëvizjeve ai do të vërejë dallime jashtëzakonisht të mëdha. Në vazhdim po i paraqesim ato ashtu siç i ka dhënë ideologu shqiptar me përmasa gjithëkombëtare, Arbër Xhaferi:

zenitizmi e percepton Evropën, kulturën e saj, si fenomen të gjeneruara, ndërkaq neoshqiptarizmi si organizëm i shëndoshë, ku progresi është i pandalshëm; zenitizmi mëton ta serbizojë(!) Evropën e molisur, ndërkaq neoshqiptarizmi ta evropizojë neoshqiptarizmin;  zenitizmi konstaton se serbizimi është në rregull, ndërkaq neoshqiptarizmi konstaton ngecjet, gabimet në shoqërinë shqiptare dhe tregon rrugën (evropiane) se si ndreqen gabimet; zenitizmit i mungon Rusia, ndërsa neoshqiptarizmit Evropa;  zenitizmi afirmon primitivizëm, njeriun e prishur, ndërkaq neoshqiptarizmi njeriun e edukuar (të shkolluar);

zenitizmi parapëlqen çlirimin e instinkteve ataviste, ndërkaq neoshqiptarizmi çlirimin e mendjes; zenitizmi glorifikon barbaro-gjeniun, që qëndron mbi moralin, ndërkaq neoshqiptarizmi pjekurinë morale; zenitizmi parapëlqen kolapsin e qytetërimit perendimor, ndërkaq neoshqiptarizmi triumfin e tij; zenitizmi ndërtohet mbi përmasa utopike, synon ta krijojë Njeriun e Ri, Frymën e Re, Artin e Ri, ndërsa neoshqiptarizmi ka ambicie realiste që ta krijojë shqiptarin e ri;

zenitizmi shfaqet si ide decivilizuese, ndërsa neoshqiptarizmin e aspiron civilizimin; zenitizmi e adhuron anarkinë e përjetshme, ndërsa neoshqiptarizmi organizimin dhe rregullimin e kaosit përmes arsimimit të mirëfilltë; zenitizmi e adhuron irracionalen, ndërsa neoshqiptarizmi e idealizon racionalizmin; zenitizmi e glorifikon mitin, ndërsa neoshqiptarizmi e dekonstrukton atë etj.

Mendoj se këto vështrime të Arbër Xhaferit duhet të jenë leksion për politikanët, opionistët e intelektualët, që të mund të kenë qëndrim ndaj “minishengenave”, që po paraqiten kohëve të fundit.