Si ndikoi koronavirusi në biznesin e dasmave në Tetovë?

Advertisment

Për shkak masave për mbrojtje nga koronavirusi, shumë dasma dhe ahengje të ndryshme, që janë traditë në vendin tonë janë anuluar. Kjo nuk i ka anashkaluar edhe një numër të madh të restoranteve në Tetovë dhe rrethinë të cilët si burim kryesor i kanë pikërisht dasmat dhe ahengjet, shkruan in7.

Në pyetjen që gazetarët ia drejtuan ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe në lidhje se si do të zhvillohen ceremonitë e dasmave të cilat janë caktuar për këtë periudhë, kur do të zvogëlohen masat restriktive dhe do të fillojnë të punojnë restorantet, ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe thotë se do të përgatitet protokoll shtesë për këtë.

Reklame

“Në një moment kur të ndodh edhe kjo. Restorantet do të hapen, ndërsa dasmat dhe ahengjet familjare do të mbahen. Por, do të duhet të ulet numri i të pranishmëve në restorantet. Gjithashtu do të duhet të sigurohet distanca mes mysafirëve”, tha Filipçe. Megjithatë ai tha se në dy javë e ardhshme mbetet të shihet dhe të bisedohet për këtë edhe me përfaqësues të sektorit të cilët do të japin sugjerimi, dhe të njëjtat do të zbatohen në protokolle. Por, a do të jetë e mundur një gjë e tillë kur merret parasysh se në kësisoj manifestimesh, tradita jonë është e lidhur ngushtë për nga ana sociale.

Kështu drejtori dhe menaxheri i Restorant Ahengu në Tetovë, Qëndrim Zendeli për in7 thotë se pandemia ka ndikuar në biznesin e dasmave. Ahengjet e rezervuar për muajt Mars dhe Prill janë anuluar tërësisht, ndërsa shprehet skeptik se kjo gjendje do të rregullohet edhe në muajt e ardhshëm.

“Është fakt se pandemia mbylli në total biznesin restorantor me vendim të qeverisë. Kjo ndikoi në anulimin e shumë manifestimeve që i kishim prenotuar për muajin mars dhe prill. Gjasat janë reale sipas paralajmerimeve nga ana e organeve gjegjëse se kjo gjendje do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Sa i përket masave që do të duhet të ndërmirren nëse lejohen aktivitete restorantore gjegjësisht manifestime të ndryshme, ato ende nuk janë shpalosur sa duhet dhe jam fare skeptik se do të mund të implementohen siç paralajmërohet. Vetë manifestimet, banketet dhe ahengjet e ndryshme kanë anën sociale të duarshtrëngimit gjatë pritjes, kapjes gjatë vallëzimit dhe të tjera komunikime të drejtëpërdrejta ndërpersonale, andaj më duket e paarsyeshme vënia e rregullit të distancimit të tryezave dhe të ngjashme. Jam i mendimit ose të lejohet veprimtaria e jonë ose të ndalohet fare.”, thotë për in7, Qëndrim Zendeli, drejtor dhe menaxher i restorantit Ahengu.

Edhe Jehona Shaqiri, menaxhere në NB Hotel&Spa, ndan të njëjtin mendim duke theksuar se këto masa janë pak irracionale, pasi distanca nuk respektohet as nëpër markete, as në furrat e bukës etj.

“Sa i përket mendimit tim distanca, nuk e di se sa do të respektohet, jemi popull ku traditë i kemi ahengjet që t’i festojmë me dashni dhe përqafime, ka shumë emocione. Normal se do të mbahen me numër më të vogël, për mendimin tim nuk është edhe aq e madhe, sepse po të futesh në marketet më të njohura në vend, prej ditës së parë të pandemisë numri i njerëzve ka qenë si nëpër dasma, pra shihet që aty nuk respektohet asgjë. Situata paraqitet e njëjtë edhe nëpër furrat e bukës edhe nëpër mishtore dhe në shumë biznese që e kanë të lejuar që të punojnë, por unë jam optimiste, gjithçka do të rregullohet dhe përafërsisht do të jetë njëjtë sikur viteve të kaluara”, ka thënë për in7, Jehona Shaqiri, menaxhere në NB Hotel&Spa.

Përveç ahengjeve që mbahen nëpër restorante, ka edhe të tillë që mbahen edhe nëpër shtëpi private, kështu në lidhje me këtë in7 ka marrë prononcime edhe nga disa muzikantë që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nëpër ahengje të ndryshme. Këngëtari tetovar Elbasan Munishi thotë se janë anuluar një numër i dasmave dhe ahengjeve, por shprehet optimist se situata do të normalizohet dhe datat e prenotuara për muajt e ardhshëm nuk do të anulohen. “Po raste ka po nuk janë të shumta, d.m.th. se shumica e dasmave që janë prenotuar, besojmë se do realizohen”, thotë për in7, këngëtari tetovar, Elbasan Munishi.

Ndërkaq instrumentalisti, Besmir Beqiri thotë se për momentin nuk kemi anulime të ahengjeve dhe dasmave që janë prenotuar “Deri në këtë moment, asnjë aheng apo dasëm nuk është e anuluar, d.m.th., dasmave që i kemi të prenotuara për sezonin e verës, se si do realizohen njëherë s’kemi asnjë informacion”, thotë , instrumentalist tetovar, Besmir Beqiri.

Si duket dasmat, ahengjet dhe lindjet nuk ndalen pa marrë parasysh se është kohë pandemie, apo gjendje e jashtëzakonshme, ashtu si edhe vdekjet që nuk mund të ndalen. Sugjerimet janë që të tentohet respektimi i masave, pasi të njëjtat janë për të mbrojtur qytetarët nga infektimi me koronavirus, deri sa të gjendet kura ndaj kësaj sëmundje, e cila ka marrë shumë jetë njerëzish në të gjithë globin./in7.tv/