Si u ftua Ali Ahmeti nga Specialja? S’ka shtetësi të Kosovës (video)

Advertisment

Kam pranuar ftesën dhe do të shkoj të dëshmoj në Gjykatën Speciale të Kosovës, kështu ka njoftuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti se do të shkojë në Hagë të dëshmojë për Luftën e Kosovës. Por a mund një shtetas i huaj të dëshmojë për Luftën e Kosovës dhe meqë Ahmeti do të shkojë në Hagë, a do të thotë kjo se ai ka shtetësi të dyfishtë?

Nga BDI me përgjigje.

Reklame

“Z. Ali Ahmeti ka shtetësi vetëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk është shtetas as i Kosovës dhe as i ndonjë vendi tjetër”, tha Artan Grubi, Sekretar Organizativ i BDI-së.

Për këtë TV21 ka pyetur në Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës, por nga atje kanë deklaruar se nuk kanë të dhëna se nëse Ahmeti ka shtetësi të Kosovës. Por, duke cituar ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar kanë bërë të ditur se shtetësia nuk është përcaktues se a duhet ose jo një person të merret në pyetje nga Gjykata Speciale.

“Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi personat e shtetësisë kosovare/IRJ apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me shtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, thonë nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë.