Siniçan: Banorët vazhdojnë të qëndrojnë në bjeshkë

Advertisment

Për tridhjetë ditë me radhë banorët e Siniçanit vazhdojnë të qëndrojnë në bjeshkët e malit Sharr në shenjë proteste për ndërprerjen e punimeve për ujin e pijshëm. Bashkë me ta në bjeshkë akoma është duke qëndruar dhe policia gjegjësisht njësia NJPP të cilët tashmë 30 ditë kanë ngritur edhe shatorët duke qëndruar 24 orë me qëllim për të bllokuar punët e Eskavatorit për ujësjellësin. Banorët të cilët janë duke qëndruar në bjeshkë thonë se janë lodhur nga premtimet për fillimin e punëve por do të qëndrojnë aty derisa fshati të ketë ujë të pijshëm.

“Nga dita kur janë ndërprerë punimet ne nuk jemi tërhequr asnjë moment të vetëm, kemi qëndruar këtu, deri sa të shikojmë ujin e pijshëm në fshatin Siniçan, nuk tërhiqemi nga ky vendim”, tha një banor.

Reklame

“Ne kemi pasur dy takime në qeveri me Spasovskin dhe takim me ministrat dhe arritëm marrëveshje se do fillojmë me punë më 20-tin, por ajo nuk mjaftoi dhe vazhdoi edhe 10 ditë por tash presim që të hënën edhe të martën dhe nëse nuk vazhdojnë me punimet ne do marrim masa më të rrepta”, tha një banor.

“Ka revoltë, është bërë një kohë e gjatë edhe afatet që ata i kanë përmend si organe kompetente dhe kanë kaluar disa afate dhe ne presim që brenda javës që vjen do të kryhet kjo punë dhe do të fillojnë me punimet”, tha një banor.

Kryetari i komunës së Bogovinës Albon Xhemaili ishte i pakapshëm për t’iu përgjigjur pyetjes se deri ku është përgatitja e dokumentacionit adekuat për të filluar punët, përderisa nga Qeveria në një takim që patën banorët me ministrat, u tha që komuna duhet të përgatisë dokumentacion adekuat dhe më pas të fillojnë punët.

Banorët paralajmërojnë se nëse ka fundi i javës që vjen nuk fillojnë punët do të detyrohen të radikalizojnë protestat duke bllokuar rrugët, por edhe magjistralen.

5 mijë banorë të fshatit Siniçan nuk kanë ujë të pijshëm, edhe atë pak ujë që kanë, në bazë të analizave të Qendrës për shëndet publik, ka rezultuar me Escherichia coli.