Sivjet 1 Shtatorin e kemi në 1 Tetor

Advertisment

Për të gjithë nxënësit, fëmijët tanë që sot filluan vitin e ri shkollor, vit kalendarik dhe shkollor ndryshe nga ata më parë, arsyeja virusi Covid-19 ….

Mbi të gjitha nxënëseve dhe familjeve të tyre ju uroj shëndet në rradhë të parë, e mandej edhe suksese në rrugëtimin e tyre të dijes.

Reklame

Kjo gjeneratë është gjeneratë ndryshe, gjeneratë e cila fillon shkollimin ndryshe nga prindërit e tyre, nga motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur.

Me theks të veçantë për fëmijët që kanë filluar në klasë të parë të arsimit fillor, nxënësit në vitin e parë të arsimit të mesëm, dhe studentët në vitin e parë të studimeve në fakultetet e ndryshme.

Filloristët e filluan rrugëtimin e tyre me prezencë fizike, por emocionet e tyre janë të përziera, sepse duhet të respektojnë protokole, a vetë fjala “protokol” fëmijëve ju asocon në diçka absurde, në diçka të vështirë, në diçka që ju krijon ankth, frikë, jo siguri!?

Megjithatë do të kenë mundësinë për të ndjekur mësimin drejtë për drejtë nga mësimdhënësit. Mundësinë e njëjtë nuk e kanë nxënësit nga klasa e katërt e deri në të nëntën në arsimin fillot, të cilët mësimin do ta realizojnë online.

Por, e njëjta mundësi nuk ju jepet as edhe nxënëseve në vitin e parë të arsimit të mesëm. Ata mësimet e tyre do t’i ndjekin online, edhe pse akoma nuk e njohin shkollën në të cilën janë regjistruar, nuk i njohin mësimdhënësit po as edhe ata nuk i njohin nxënësit, nuk dinë si funksionon arsimi i mesëm, etj …. Po nuk ka lidhje, se me rëndësi është që të kenë mundësinë të ndjekin mësimin!!?

Çështje krejt tjetër është ajo se sa prej nxënësve janë të pajisur me mjete teknologjike për të pasur mundësinë të ndjekin mësimin pa pengesa. E për kategorinë e fëmijëve që nuk kanë pajisje teknologjike, Ministria e arsimit dhe shkencës paralajmëron se mësimin do të mund ta ndjekin nga emisionet televizive!

Kjo ndoshta edhe nuk do të ishte aq e dhimbshme nëse nuk do të kishte në procesin mësimor edhe vlerësim të të arriturave të nxënësve.

Nuk e di si do ta bëjnë vlerësimin objektiv të të arriturave të nxënësve në këtë mënyrë?

Nuk e di si as edhe do të marrin nota nxënësit dhe ato të jenë vërtetë një tregues i sinqertë i njohurive dhe të arriturave të tyre?

Vlerësimi është një proces i ndërlikuar dhe permanent dhe nuk lejon që ne të arrijmë deri tek nota vetëm për momente të caktuara!

Po nejse, edhe për këtë besoj se do t’i “aftësojnë” mësimdhënësit në trajnime të rradhës.

Hajde arsim hajde!

Vite me rradhë gojën plot me cilësi në arsim e si të arrijmë deri tek ajo cilësia…. Tani ska lidhje më asgjë vetëm të bëhet diçka sa mos të themi se nuk kemi bërë asgjë.

Ndryshe është në arsimin sipëror, pasi aty kemi të bëjmë me njerëz të ri, më të rritur të cilëve gjithashtu në vitin e parë duhet t’ju jepet mundësia të njohin ambientet e Fakultetit, profesorët mënyrën e funksionimit, rregullat,etj. Ata e kanë pak më të lehtë krahasuar me ciklet e arsimit fillor dhe atij të mesëm, sepse ata supozohet të studiojnë, të gjurmojnë, të punojnë individualisht dhe të pavarur nga profesori.

Ju kthehem sërish fëmijëve, atyre qenieve të pafajshme të cilët me padurim dhe kënaqësi e kanë pritur fillimin e shkollës.

E këto fëmijë, janë fëmijë të cilët edhe jetën do ta jetojnë ndryshe, e për fat të keq ne nuk do të mundemi t’ju japim udhëzime të nevojshme nga praktika sepse asnjë nga ne nuk kemi përjetuar emocionet dhe përvojat që ato sot i jetojnë; të shkojnë në shkollë (që e kanë pritur, e kanë paramenduar në kokat e tyre secili në mënyrën e vet) me maska, të ruajnë distancën nga shokët e shoqet, të ecin sipas vijave të shënuara në ambientet e shkollës, të jenë vigjilent në veprimet e tyre brenda në klasë e në shkollë…….. E prandaj them se janë gjeneratë e një arsimi dhe jete ndryshe.

Për këta nuk vlen ajo që ne e kemi mësuar dhe mësojmë, sepse këta kanë gjithçka ndryshe…..

Po, e keni parasysh se jemi në një situatë të cilën asnjëherë më parë nuk e kemi pasur dhe as që e kemi menduar se do ta jetojmë… Me këtë dhe asnjë edhe nuk është i përgatitur që të vepron në situata të këtilla….. Momente të këtilla e vështirësojnë apo e rrezikojnë edhe socializmin e nxënësve, aspekti edukativ i shkollës gjithnjë e më shumë zbehet, vlerat njerëzore e morale do të zbehen, komunikimi njerëzor ndryshon….

Pra në një situatë të këtillë, të gjithë mësojnë, edhe arsimtarët edhe nxënësit, edhe prindërit, edhe ministria, edhe qeveria edhe…. Edhe…. Edhe……

Por ju lutem, mjaft më të gjithë e thirrët veten ekspert e profesionist të arsimit, se arsimin e degraduat dhe shumë gjenerata i morët në qafë.

Gjithkush mund të bëhet Ministër i arsimit, por ama jo gjithkush mund të jetë ekspert i arsimit apo i thirrur për të trajtuar probleme të arsimit.

Përgjatë gjithë kohës që eksperimentohet me arsimin, shkollën dhe nxënësit, nuk duhet haruar se na kalojnë gjenerata e gjenerata të fëmijëve të cilët asnjëri nga ne nuk do të mundemi t’ua kompensojmë kohën e kaluar.

Për arsimin gjithmonë duhet të mendohet para kohe, jo në kohë….

Që të mundemi t’i përgjigjemi kërkesave të kohës dhe fëmijëve të shekullit të ri.

Prof.Dr. Rabije Murati

Prodekane në Fakultetin Pedagogjik

Universiteti i Tetovës