Slloveni, 514 euro ndihmë për ata që kanë humbur vendin e punës si pasojë e Covid-19

Enti për punësim i Sllovenisë për vetëm një javë, ka ndarë nga 514 euro shtesë për personat të cilët kanë humbur vendet e punët për shkak të Covid-19.

Për këtë ndihmën deri më tani kanë aplikuar 1.930 persona, ndërsa janë pranuar mbi 80 për qind prej kërkesave, informojnë nga Enti.

Reklame

Kjo ndihmë është pjesë e ligjit të ashtuquajtur “anti-korona”, i cili është miratuar në fillim të muajit prill. Me ligj parashihet që të gjithë ata të cilët për shkak të epidemisë, gjegjësisht pas 13 marsit kanë humbur vendet e tyre të punës të mund të marrin ndihmë të pakthyeshme financiare nga shteti.

Ekonomia sllovene ka marrë goditje të mëdha nga pandemia, ndërsa njëra prej arsyeve kryesore për këtë sipas njohësve të ekonomisë është se vendi është kryesisht i orientuar në eksport. Sipas parashikimit të Bankës shtetërore të Sllovenisë, sivjet ekonomia do të jetë në minus, ndërsa rritje parashihet për vitin 2021.