Snopçe dhe Ibrahimi: Shtyrja e regjistrimit, frikë nga numra

Në numrin e fundit të Revistës Shenja është shtjelluar çështja e regjistrimit të popullsisë dhe reflektimet që shkaktohen prej problematikave të vazhdueshme që po ndodhin.

Halil Spopçe vlerëson se ka spekulime të ndryshme se pse ndodhi marrëveshje në mes liderëve maqedonas për shtyrjen e procesit të regjistrimit.

Reklame

Ai mendon se arsjeja e parë është përgjigja masovike e diasporës shqiptare, që kishte motiv të jashtëzakonshëm të dëshmojë se sa shumë janë në numër në Maqedoni të Veriut. Sipas tij, arsyeja e pandemisë nuk qëndron, sepse ekzistonte edhe në momentin kur u soll Ligji për Regjsitrim.

Halil Snopçe

“Në një shtet normal qëllimi i regjistrimit është zhvillimor dhe jo politik. Parashtrohet pyetja se cili është qëllimi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut? Të gjithë pa përjashtim e theksojnë karakterin e pastër statistikor të këtij procesi. Fatkeqësisht, këto janë vetëm deklarata boshe jashtë realitetit që pasqyrohet në Maqedoninë e Veriut. Pra, me një fjalë, ekziston një tension ndërmjet reales dhe formales për sa i përket këtij procesi në shtetin tonë. Të gjithë formalisht deklarojnë se ky do të duhej të jetë një proces i pastër statistikor, por realisht të gjithë e dimë se është një proces i pastër politik për shumë arsye”

Ndërkohë, Zeqirija Ibrahimi vlerëson se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në Europë që në njëzet vitet e fundit nuk ka realizuar regjistrim të popullsisë. Ai thekson se kanë kaluar dy dekada dhe ky shtet assesi ta bindë veten që ta realizojë këtë proces, ndërkohë që në vende me demokraci të konsoliduar normale realizohet në çdo 10 vjet dhe ka kuptim vetëm statistikor, sepse përmes tij bëhet planifikimi i resurseve, nevojave dhe detyrimeve.

Zeqirija Ibrahimi

“Që ironia të jetë më e madhe, Maqedonisë së Veriut i ndodhë që dy herë ta ndërpresë regjistrimin e filluar. Kështu në vitin 2011 regjistrimi i popullsisë filloi dhe u ndal, duke gjetur disa arsyetime banale për moskoordinim të regjistruesve etj., por që më pas, nga përgjimet e publikuara në vitin 2015 nga Zoran Zaevi, atëherë vetëm kryetar i LSDM-së e tash kryeministër i vendit, u mor vesh se vendimi për ndërprerjen e tij kishte ardhur pas një telefonate që e kishin zhvilluar kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ndonëse ndërprerja e një procesi të tillë implikon vepër penale, as njërit e as tjetrit nuk u ka munguar as një qime floku për këtë vendim”

Ibrahimi vlerëson se Maqedonia e Veriut, përveç pretendimit se është shtet i maqedonasve, me Marrëveshjen e Ohrit ka vendosur dispozita se të drejtat e komuniteteve burojnë nga përqindja e tyre në shtet. Prandaj, beteja për përqindje është në të vërtetë betejë për të drejta, që shkon deri në betejë për ndryshimin e karakterit të shtetit. /SHENJA/