Stagnon programi 24 orë në gjuhën shqipe, Qeveria pranon fajin!

Advertisment

Ligji në letër ekziston, por dy serviset, TVM 2 dhe Radio Shkupi, që duhet të transmetojnë 24 orë program në gjuhën shqipe, po stagnojnë. Për të filluar programet e reja duhet të kalojë sistematizimi i ri, e ai zvarritet sirtarëve të ministrive. Nga qeveria pranojnë se ka ngecje.

“Janë çështje të neglizhencës së dy ministrive, asaj të shoqërisë informatike që nuk po e miraton planin tonë dhe Ministria e Financave, e cila nuk jep leje për punësimin e kuadrove të rinj të gazetarëve, shërbime tjera dhe Ministra e Shoqërisë Informatike nuk mundëson sistematizim që me automatizëm bën pengim në mosrealizimin e 24 orëve program në gjuhën shqipe.”,- tha zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi.

Reklame

Popovski: Problemet shtresohen e për këtë edhe ne kemi faj

“Katër kanale ende nuk kanë filluar funksionimin në RTVM. 24 orë program në gjuhën shqipe, 24 orë program në gjuhën e bashkësive tjera etnike, kanali i Kuvendit dhe ja në këtë mënyrë janë shtresuar problemet dhe këto gjëra fakt është se nuk i kemi realizuar.”,- theksoi ministri pa resor, Robert Popovski.

Financimi i RTVM-së, ligji nuk respektohet, për cilësi duhen financa

Nuk po ecën sipas ligjit as financimi nga buxheti. Qeveria as sivjet nuk i ndau mjetet e parapara me ligj për RTVM-në. E për një servis publik, cilësor e të pavarur, duhen financa dhe implementimi i plotë i ligjit ekzistues nga Qeveria.

“Qeveria nuk po e zbaton ligjin dhe nuk po i lëshon mjetet e parapara me Ligjin për Shërbime Audio dhe Audiovizuele dhe RTVM për çdo vit humb nga disa milion euro për shkak të mosimplementimit të plotë të ligjit ekzistues.”,- tha zëvendësdrejtori ekzekutiv i RTVM-së, Harun Ibrahimi.

“Planet të cilat RTVM i dorëzon deri tek Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Ministria e Financave duhet të miratohen, sepse ne në 6-7 vitet e fundit kemi më pak se 200 njerëz të punësuar dhe jemi në situatë ku sektorë të caktuar po zhduken për shkak të mospasjes së resurseve, pensionimit të punëtorëve, ndërsa ne kemi program 24 orë me 4 ndërrime dhe emetime në shumë gjuhë.”,- theksoi drejtori ekzekutiv i RTVM-së, Marijan Cvetkovski.

Pavarësia e servisit publik, qëndrueshmëri financiare për profesionalizëm

Nga misioni i OSBE-së përkujtojnë se qëndrueshmëria financiare dhe profesionalizmi i këshillin programor ndikojnë në cilësinë dhe pavarësinë e servisit publik.

“Ligji i ri për Shërbime Audio dhe Audiovizuele duhet të sigurojë një shkallë të caktuar të qëndrueshmërisë financiare të servisit publik. Dhe aspekti tjetër është rritja e profesionalizmit të këshillit programor, i cili luan rol kyç në pavarësinë e punës në RTVM.”,- deklaroi Klemens Koja nga misioni i OSBE-së në Shkup.

“Këshilli programor duhet të zgjidhet me shumicë prej dy të tretave në Kuvend. RMV mundet të krenohet me këtë dispozitë ligjore, sepse është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka një dispozitë të tillë.”,- tha Radka Betçeva nga EBU.

Nga debati dyditor u konkludua se për të garantuar servis publik cilësor, duhet implementim adekuat i Ligjit për Shërbime Audivizuele, zgjidhje e mangësive të Ligjit për Financim, ndryshim të statusit të të punësuarve dhe ndryshime ligjore për pavarësinë e RTVM-së. Konkluzionet do t’i dorëzohen Qeverisë, kryeministrit, ministrive përkatëse dhe OJQ-ve./TVM2/