Stoltenberg: 300 mijë trupa të NATO-s do të jenë në gatishmëri luftarake, nuk duhet të jemi naivë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi në një konferencë për mediat në Samitin e Madridit se planet e Aleancës janë për të rritur numrin e trupave në gatishmëri të lartë deri në 300,000.

Sipas tij, këto trupa duhet të jenë gati deri në vitin e ardhshëm dhe për këtë duhet të kontribuojnë vendet anëtare që kanë premtuar.

Ai shtoi se ka besim se të gjithë anëtarët do t’i mbajnë premtimet e tyre, siç kanë bërë deri më tani. Por ai nuk donte t’i përgjigjej pyetjes se sa trupa do të dërgonte secili vend, përcjell INA.

I pyetur nëse NATO mendon se ne po hyjmë në një Luftë të dytë të Ftohtë, Stoltenberg tha se NATO ka punuar për dekada për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë. “Ne i ftuam Rusisë të marrë pjesë në shumë aktivitete dhe e konsideruam atë një partner strategjik në vitin 2010, por Rusia hoqi dorë nga të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një partneritet”, tha Stoltenberg.

“Ai e bëri këtë përmes një sërë veprimesh – përdorimi i forcës kundër Gjeorgjisë, aneksimi i Krimesë dhe përdorimi i forcës në Donbas nga viti 2014 e tutje,” shtoi ai, duke iu referuar Putinit.

Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet NATO-s dhe Rusisë janë në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe se nuk ka dyshim se Rusia është përgjegjëse për këtë. “Ne nuk duhet të jemi naivë, duhet të sigurohemi që të mos ketë rrezik për veprime ushtarake kundër ndonjë anëtari të NATO-s,” tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.(INA)