Stoltenberg paralajmëron ndihmë shtesë për Maqedoninë në pëballjen me COVID19

Advertisment

Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur në Bruksel me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, paralajmëroi ndihmë shtesë për vendin në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Ai tha se në kohë të vështira, aleatët janë të rëndësishëm më shumë se kurrë, duke paralajmëruar ndihma shtesë për Maqedoninë e Veriut në përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19.

Reklame

“Aleatët siguruan materiale mjekësore dhe ndihmë financiare për të lehtësuar barrën e sistemit tuaj shëndetësor dhe për të shpëtuar jetë. Sot mund të shpall se Maqedonia e Veriut do të fitojë pako me ndihma nga rezervat e reja të NATO-s, 60 respiratorë dhe pajisje tjetër që nevojitet urgjentisht në vlerë prej rreth 1,4 milionë euro”, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg gjithashtu tha se ekipet e reja të NATO-s kundër kërcënimeve hibride janë të gatshme t’u ndihmojnë aleatëve, duke shtuar se NATO nuk do të lejojë që kriza shëndetësore të shndërrohet në krizë të sigurisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev theksoi se kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit pas rizgjedhjes së tij në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa shprehi falënderime për ndihmën që NATO e ofron për vendin.

Kryeministri Zaev udhëheq delegacionin qeveritar nga Maqedonia e Veriut, ku bëjnë pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, të cilët qëndrojnë për vizitë në selinë e NATO-s, ku është paraparë të mbahet edhe një takim pune me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg.