Studimi: Sasia e Koronavirusit që ju infekton vendos nëse do të vuani apo do e kaloni me simptoma të buta

Përveçse ul rrezikun nga infektimi me koronavirus, distancimi fizik mund t’i bëjë simptomat e Covid-19 më të lehta, nëse dikush sëmuret prej tij. Kjo bëhet duke zvogëluar ngarkesën virale të një pacienti, ose thënë ndryshe, numrin e grimcave të virusit me të cilin pacienti infektohet.

Pasja e një ngarkese të lartë virale i jep një infeksioni një “nisje të vrullshme” dhe rrit rrezikun që sistemi imunitar i pacientit të mbingarkohet në betejën e tij kundër Covid-19. Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Që dikush i infektuar në mënyrë direkte nga spërklat e kollës së një tjetër të infektuari, ka simptoma më të rënda në krahasim me dikë që është infektuar thjesht duke prekur dorezën e infektuar të një dere.

Dhe kjo ndodh ngaqë rasti i infektimit nga doreza e derës i jep më shumë kohë sistemit tonë imunitar të përgatisë përgjigjen kundër infeksionit, përpara se ai të tronditet nga shpërfaqja e simptomave.

“Në përgjithësi me viruset e frymëmarrjes, rezultati i infeksionit – pavarësisht nëse sëmureni rëndë ose merrni vetëm një ftohje të lehtë – ndonjëherë mund të përcaktohet nga sa virus futet në trupin tuaj dhe nga mënyra e infektimit”, thotë profesoresha Wendy Barclay, një eksperte e sëmundjeve infektive në “Imperial College London”, që ka kryer një studim të posaçëm për këtë çështje.

“Ka të bëjë me madhësinë e “ushtrive” në secilën anë të betejës, një “ushtri” shumë e madhe e viruseve është e vështirë për “ushtrinë” e sistemit tonë imunitar ta luftojë”, thotë Barclay. Sipas saj, viruset i sëmurin njerëzit duke u shumëfishuar me shpejtësi sapo hyjnë brenda trupit tonë dhe duke u rritur në një numër kaq të madh sa trupi kërkon disa javë për t’i shkatërruar të gjithë. Ky proces është i pashmangshëm pasi dikush të ketë marrë infeksionin, por është e mundur që njerëzit së pari të sëmuren vetëm me një dozë të vogël të një virusi.