Stuhitë dimërore mbysin 10 persona në SHBA

Advertisment

Së paku 10 persona kanë vdekur, më shumë se 1 000 fluturime janë anuluar dhe me qindra mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike në pesë shtete në SHBA të shtunën si pasojë e një stuhie masive dimërore që u shoqërua edhe me dëborë, shi të ngrirë dhe breshër nga Teksasi në Michigan.

Erëra me fuqi të një uragani, breshër me madhësi sa një top golfi dhe borë deri në 13 cm ra të premten mbrëma dhe të shtunën në mëngjes derisa stuhitë erdhën nga Teksasi, raporton Reuters.

Reklame

Borë edhe më e dendur pritet të bie edhe gjatë të dielës në pjesë të Ilinoisit, Michiganit, New Yorkut verior dhe New England, transmeton Koha.net.

“Rreziku i vërtetë vjen nga era dhe akumulimi i akullit”, ka thënë parashikuesi i motit nga Shërbimi Nacional i Meteorologjisë (NWS), Bob Oravec.

“Akulli dhe era do ta vështirësojë shumë ngasjen, ndërsa drunjtë mund të rrëzohen dhe të këpusin telat e rrymës dhe të shkaktojnë edhe dëme tjera”, tha ai.

Mbi 257 000 shtëpi dhe biznese mbetën pa rrymë në Alabama, Mississippi, Kentucky, Tennessee dhe Arkansas. Edhe në Teksas, Michigan dhe Illinois pati ndërprerje të rrymës, por ato u rregulluan në ndërkohë.

NWS ka thënë se mbi 18 milionë njerëz në Louisiana, Arkansas, Teksas dhe Oklahoma mbesin të rrezikuar nga tornadot dhe shirat e rrëmbyeshëm.