Su lmi kibernetik ndaj KSHZ-së, dilema rreth rezultateve

Advertisment

Për orë të tëra mbrëmë vonë ueb faqja e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve nuk kishte qasje. Bëhet fjalë për arsye “të jashtme” – ishte sqarimi i parë nga KSHZ-ja. Më vonë kryetari Oliver Derkoski pranoi se bëhet fjalë për sulm komjuterik, i cili sot është denoncuar në polici.

Mospasja e pasqyrës së saktë rreth rezultateve të zgjedhjeve parlamentare ka lënë hapësirë në opinion për spekulime të ndryshme, krahas asaj që KSHZ-ja shpreh bindjen se përpunimi i të dhënave nuk është penguar. Analistët konsiderojnë se në shënjestër ka qenë sulm komjuterik si në kohën e Bregzit ose cikleve zgjedhore amerikane.

Reklame

Shfaqja e zokonshme grafike e rezultateve të para pas mbylljes së vendvotimeve mbrëmë në orën 21, ishte e pamundur, duke e lënë opinionin me shifrat e publikuara nga qendrat partiake, të cilat gjithashtu kanë arritur vonë dhe pjesërisht. Më vonë nga KSHZ-ja arriti informacioni se “bëhet fjalë për sulm nga jashtë” që nuk e ka penguar përpunimin e rezultateve në aplikacion tjetër, për përdorim të brendshëm. Sot gjërat janë më të qarta…deri diku.

“Gjatë ditës së djeshme ju i morët informacionet e para për rezultatet dhe atëherë kishte përpunim të mbi 95% të atyre rezultateve, më pas ndodhi sulmi kompjuterik, prej jashtë, të cilin ne e kemi denoncuar në MPB. Dëshiroj që opinioni ta dijë se në KSHZ nuk ka kriminelë që dëshirojnë t’i rregullojnë rezultatet”,tha Derkovski.

 

Anëtarët e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve gjatë tërë ditës numërojnë dhe verifikojnë, duke paralajmëruar detaje për opinionin pasdite. Por pikërisht informacioni që gjatë ditës së sotme qarkulloi në media se “BDI ka fituar në fshatin e Strumicës Novo Sellë” i ka detyruar për verifikim të dyfishtë. “Pikërisht këto gjëra verifikohen. Mund të jenë të dhëna të gabuara nga Këshillat zgjedhorë” – thonë burime nga KSHZ për Tv Klan Maqedoni. Analisti Sasho Ordanovski në debatin e sotëm në organizatën joqeveritare Civil, mendon se sulmi kompjuterik është i shënjestëruar me kujdes dhe i realizuar me shkathtësi.

“Kjo që ndodhi dje është shumë simptomatike, sepse me këtë lloj të sulmeve kompjuterike në sistemet zgjedhore janë kryer edhe sulmet gjatë kohës së Bregzit dhe votimeve në SHBA, disa votime në vendet evropiane në 3-4 vitet e fundit. Bëhet fjalë për sulm kompjuterik, i kryer me shkathtësi, me logjikë të kujdesshme politike, siç është bërë sulumi, në qoftë se vërtetohet” ,tha Ordanovski.

Aplikacioni i ri për futjen e të dhënave nga vetë shtabet zgjedhore ka ngritur dyshime që nga dita e djeshme, në vetë ditën e zgjedhjeve, por kryetari Derkoski në bisedë për TV Klan mohon se ka pasur problem.

“Nuk është e saktë, formula është shumë e thjeshtë , futni shifër absolute dhe llogaritet numri i votuesve. Por mund të ketë disa që nuk janë mjaftueshëm të trajnuar, apo jo? Ka disa vendvotime, janë rretj 30-40 që i shihni edhe vetë në ekrane, prej të cilave rezultatet nuk kanë arritur në kohë, sepse në ato vende nuk ka pasur rrjet”,tha Derkoski.

KSHZ-ja për pasditen e sotme ka paralajmëruar konferencë për shtyp, në të cilën priten përgjigjet e më shumë pyetjeve në lidhje me ngecjen e shpalljes së rezultateve dhe sulmin kompjuterik të ueb faqes. Nuk përjashtohet që përgjigja të jetë në zgjedhjen e tenderit të firmës për mirëmbajtjen e shërbimeve të internetit dhe sigurisë së tyre, të cilën sipas Derkoskit këtë vit e kanë paguar 1 milion denarë, derisa në vitet e kaluara shuma vjetore ka qenë 4 milion e gjysmë denarë./KlanMacedonia