Edhe pse nuk ka mbyllur asnjë biznes, Suedia po e fiton luftën me Koronavirusin

Qasja e pazakontë e Suedisë për të luftuar pandeminë e koronavirusit po fillon të japë rezultate, sipas epidemiologut suedez.

Anders Tegnell, njeriu që qëndron prapa vendimeve për një qasje më relaksuese ndaj pandemisë Covid-19 në Suedi tha për mediat lokale se shifrat e fundit të personave të infektuar si dhe shifrat e rasteve që kanë përfunduar me fatalitet tregojnë se situata po fillon të stabilizohet.

“Jemi në një lloj rrafshnalte”, tha Tegnell për agjencinë suedeze të lajmeve TT.

Tashmë dihet se Suedia gjatë gjithë kohës derisa po zgjat pandemia ka lënë shkollat, palestrat, kafenetë, baret dhe restorantet e saj të hapura. Në vend të kësaj, qeveria u ka kërkuar qytetarëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të ndjekin udhëzimet për distancim social.

Përhapja e Covid-19 në të gjithë globin po shkakton reagime të ndryshme si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar në secilin shtet, pasi autoritetet përpiqen të kontrollojnë shpërthimin eventual të virusit.

Ende është e paqartë se cila strategji do të rezultojë të jetë më efektive, ekspertët në Suedi paralajmërojnë se është shumë herët për të nxjerrë përfundime. Por duke pasur parasysh dëmin e madh ekonomik që po shkaktojnë masat e rrepta dhe izolimi i shumë shteteve, qasja suedeze ka tërhequr interes të konsiderueshëm në të gjithë botën, përcjell Alsat.

Deri më sot Suedia ka raportuar 1,540 vdekje si pasojë e Covid-19. Kjo është dukshëm më shumë sesa në pjesën tjetër të Skandinavisë, por shumë më pak se në Itali, Spanjë dhe Sh.B.A.

Tegnell nuk është i vetmi zyrtar lartë shtetëror në Suedi që mendon se vendi tashmë ka tejkaluar fazën kritike.

“Trendi që kemi parë ditët e fundit, me një kurbë më të sheshtë – ku kemi shumë raste të reja, por jo rritje ditore të rasteve – tregon për stabilitet”, tha të premten Karin Tegmark Wisell, drejtuesi i departamentit të mikrobiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në Suedi, duke shtuar se i njëjti trend vërehet edhe tek pacientët të cilët janë në kujdes intensiv.

Vetëm dy javë më parë, situata ishte më ndryshe, atëherë kur edhe kryeministri Stefan Lofven tha se ndoshta qeveria do të duhet të rishikojë qasjen ndaj pandemisë marrë parasysh numrin e lartë të rasteve që kanë përfunduar me fatalitet.

Ekonomisti James Pomery thekson se Suedia mund të përfiton ekonomikisht nga qasja unike ndaj virusit vetëm nëse kurba e personave të infektuar fillon të bie.

“Nëse kurba e infeksionit fillon të rrafshohet së shpejti, ekonomia suedeze mund të rimëkëmbet më lehtë” tha ai.

Pomeroy tregoi disa karakteristika të Suedisë që mund të ndihmojnë vendin të ballafaqohet më lehtë me krizën ekonomike.

“Më shumë se gjysma e familjeve suedeze, jetojnë vetëm, duke e bërë distancimin social më të lehtë. Më shumë njerëz punojnë nga shtëpia se kudo tjetër në Evropë, dhe të gjithë kanë qasje në internet të shpejtë, gjë që ndihmon një pjesë të fuqisë punëtore të qëndrojnë produktiv larg zyrës.”, tha Pomery.

Derisa shumë vende të tjera po implementojnë ligje të rrepta, përfshirë gjoba të mëdha nëse njerëzit kapen duke shkelur ligje të distancës sociale, suedezët duket se po ndjekin udhëzime të tilla pa nevojën e legjislacionit.

Udhëtimet nga Stokholmi në Gotland – një destinacion i popullarizuar pushimesh kanë shënuar ulje për 96% gjatë fundjavës së Pashkëve, sipas të dhënave nga operatori më i madh mobil në vend Telia Company. Sipas statistikave të kompanisë Citymapper lëvizshmëria nëpër qytet ka shënuar rënie për 75%.

Autoritetet suedeze kohëve të fundit janë shprehur se edhe në Suedi jeta nuk është si më parë duke shtuar se janë marrë masa por jo masa radikale.

“Ne nuk kemi një pamje rrënjësisht të ndryshme,” tha ministrja e Jashtëm, Ann Linde në një intervistë për Radio Suedinë.

“Qeveria ka marrë një seri vendimesh që prekin tërë shoqërinë. Është një mit që jeta në Suedi vazhdon të jetë normale”, tha ajo.