Takohen Pendarovski me Erdoganin: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë miqësore dhe të forta

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot në Antalya ka realizuar takim me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Dy presidentët, thuhet në komunikatën e presidentit Pendarovski, kanë shprehur kënaqësinë nga partneriteti shumëvjeçar mes dy shteteve dhe nga trendi pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit në më tepër sfera të interesit të përbashkët.

“Presidenti Pendarovski ka theksuar se edhe në kushte të pandemisë zhvillimi i dialogut të rregullt politik tregon se marrëdhëniet mes dy vendeve janë miqësore dhe të forta.

Ai shprehi falënderim për ndihmën e ofruar mjekësore që ka arritur në vendin tonë që në fillimet e para pas shpalljes së pandemisë. Në këtë kontekst presidenti Pendarvoski u falënderua edhe për 30 mijë vaksinat që ishin dhuruar kohë më parë.

Në takim, presidenti Pendarovski ka theksuar se interesi i Maqedonisë së Veriut për zhvillim të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Turqinë është konstant, ndërsa për këtë kontribuon edhe afërsia mes popujve”, thuhet në komunikatën e presidentit Pendarovski, transmeton SHENJA.

Presidenti Pendarovski ka thënë se shpreson se në periudhën e ardhshme të dy vendet do të fokusohen më tepër në bashkëpunimin ekonomik si segment i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme, por edhe për tejkalim sa më të lehtë të pasojave ekonomike të shkaktuara nga KOVID-19.