Tani mund të testoheni vet! Teste të Covid-19 mund të gjeni në barnatore

Maqedonia sipas shembullit të disa vendeve të tjera, para pak kohe filloi me shitjen e testeve të shpejta për virusin korona. Me këtë qytetarët kanë mundësi që për pak para të testohen kur të duan dhe të kontrollojnë nëse janë pozitiv me virusin korona. Për dallim nga testet zyrtare në laboratorët që janë shumë më të shtrenjta, këto teste kushtojnë rreth 500 denarë.

“Maqedonia sipas shembullit të Serbisë, në barnatoret filloi të shesë teste të shpejta për detektimin e virusit korona. Kjo është një prej barnatoreve ku shiten teste të këtilla, ndërsa tani do të kontrollojmë nëse është e vërtetë kjo”, Ivana Ramadanova – gazetare.

Për testet e shpejta është e rëndësishme që të ndiqet udhëzimi dhe strishoja të merret në mënyrë adekuate nga hunda e cila duhet të preket në një pikë të caktuar të testit dhe për disa minuta marrim rezultat në kushte shtëpiake.

“Testi i shpejtë për kovid përbëhet nga disa elemente, kjo është strishoja, reagensi dhe një kasetë për testin. Procedurën që duhet ta bëni pasi e blini këtë test është që ta hapni strishon dhe ta vendosni sa më thellë në hundë. Pastaj e hapni reagensin dhe e vendosni strishon brenda dhe prisni disa sekonda. Pasi e hapni kasetën e vendosni në hapësirë të thatë dhe të sheshtë duke vënë disa pika të reagensit në pjesën e hapur. Pas kësaj e lëni testin për 20-30 minuta pas çka do të tregojë nëse jeni pozitivë ose negativë në virusin korona”, Ivana Ramadanova – gazetare.

Nga Agjencia për barna thonë se testet së pari janë shfrytëzuar vetëm për laboratorët e autorizuar dhe ministrinë e Shëndetësisë.

“E kemi përvojën e vendeve të BE-së që i lëshuan në përdorim testet e shpejta, dhe ne së shpejti në bashkëpunim me Ministrin e shëndetësisë i lejuam. Megjithatë duhet të theksohet se këto janë teste treguese dhe të njëjtat nuk do të jenë teste zyrtare që do të bëhen në laboratorit e autorizuar”, theksoi Lirim Shabani – Drejtor i Agjencisë për Barna.

Testet e shpejta tashmë një kohë të gjatë përdoren në vendet evropiane dhe shpërndahen falas me qëllim që të bëhet skrining masiv për ta ndaluar përhapjen e virusit. Përndryshe këto teste nuk vlejnë për udhëtime për shkak se gjithkund kërkojnë test zyrtar PCR.