Taravari: ASH propozon bashkimin me Alternativën

Advertisment

Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa do të garojnë në koalicion edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Këtë e paralajmëruan zyrtarët e dy partive, Arben Taravari dhe Zeqirija Ibrahimi. Por, Taravari paralajmëron se pas zgjedhjeve lokale, ASh do t’i propozojë Alternativës që të bashkohen në një subjekt politik.

“Me Alternativën ne tanimë jemi duke menduar në bashkëpunim në rrugë të gjata, ende nuk kemi biseduar drejtpërdrejt, por nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të të dyja subjekteve politike në një. Kjo ide ende nuk është biseduar me partnerët tanë të koalicionit, por në rrugë afat gjate dhe pas zgjedhjeve lokale do të duhet ta hapim si temë. Por, ajo që është shumë e sigurt se ne si koalicion në zgjedhjet lokale do të garojmë së bashku, kjo është shumë e sigurt dhe pas këtyre zgjedhjeve do të ishte mirë që kjo temë të hapet dhe do të ishte mirë që të organizohet ndonjë kongres ku do të bashkoheshin të dyja subjektet politike.”,- deklaroi nënkryetari i ASh-së, Arben Taravari.

Reklame

Ibrahimi: Nuk kemi biseduar rreth temës së bashkimit

Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa tha se sa i përket temës së bashkimit në këtë parti nuk është biseduar.

“Alternativa në kohë të fundit ka qenë e fokusuar në çështjet të cilat kanë të bëjnë me agjendën tonë opozitare në Kuvend dhe nuk mund të paragjykojmë për të ardhmen, çdo gjë është e hapur, por në këtë kohë jemi të fokusuar që bashkërisht me ASh të garojmë edhe në zgjedhjet lokale.”,- tha Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.

Edhe Taravari edhe Ibrahimi janë të mendimit se ky koalicion ka treguar rezultate të mira në Zgjedhjet Parlamentare, prandaj do të ishte shumë e qëndrueshme që ky koalicion të vazhdon edhe në zgjedhjet lokale.