Taravari kundër “Gostivari që e dua”: Janë pjesë e BDI

Kryetari i Gostivarit Arben Taravari sot deklaroi se Iniciativa Qytetare që aktivizohet me emrin “Gostivari që e dua”, duhet haptas të thotë se po bën fushatë për BDI-në dhe se anëtarë të saj do të jenë në listën e këshilltarëve të BDI-së, shkruan gostivarpress.mk

“Le të thonë haptas se janë pjesë e fushatës së BDI-së dhe se do të jenë të vendosur në listën e këshilltarëve të asaj partie në zgjedhje. Pyes pse nuk bëjnë press konferencë para spitalit në Gostivar, që të theksohen problemet e pacientëve që atje po shërohen, ka probleme me oksigjenin, barnat, higjiena është në gjendje katastrofale. Në atë mënyrë do të tregojë iniciativa se është qytetare, e jo partiake” – tha Taravari.

Në lidhje me peticionin që Iniciativa po e ndërmerr për qentë endacak, kryetari i komunës tha se Komuna e Gostivarit ka ndërmarrë më tepër masa dhe ka bërë më shumë se komunat tjera në llidhje me atë çështje.

“Kemi bërë shumë për zgjidhjen e problemit me qentë endacak, hapëm dy stacionarë. Ata thonë se stacionarët në Gostivar nuk funksionojnë, por nuk është ashtu, vetëm në këtë periudhë po bëhet pauzë për shkak të rekomandimit të institucioneve kompetente që japin kahje se periudha e verës nuk rekomandohet për trajtimin e qenve. Së shpejti sërish do të fillojmë me trajtimin e qenve. – tha Kryetari i Komunës.